Superylli i muzikës pop, Katy Perry, performoi në bord të një rakete të Blue Origin teksa u nis drejt hapësirës së bashku me pesë gra të tjera, në një mision të paprecedentë krejtësisht femëror.
Perry këndoi këngën e Louis Armstrong “What A Wonderful World” pas nisjes, së bashku me Lauren Sanchez, të fejuarën e Jeff Bezos, prezantuesen televizive Gayle King, aktivisten për të drejtat civile Amanda Nguyen, ish-shkencëtaren e raketave Aisha Bowe dhe regjisoren Kerianne Flynn, në një fluturim historik 11-minutësh në Texas.
Misioni, i pari udhëtim hapësinor vetëm me gra që nga viti 1963 dhe i vetmi me një ekuipazh plotësisht femëror, i çoi pjesëmarrëset në një lartësi prej 100 km (62 milje) mbi Tokë – duke kaluar kështu vijën Karman, që konsiderohet si kufiri i hapësirës. Ky ishte fluturimi më i fundit i programit New Shepard të Blue Origin, i quajtur NS-31, që ka për qëllim transportin e turistëve në hapësirë.
Gayle King bën një rrëfim tronditës
Gayle King pranoi se kishte planifikuar të linte letra për djalin, vajzën dhe shoqen e saj më të mirë, Oprah, në rast se diçka shkonte keq gjatë misionit.
“Ato letra do t’i lija në tavolinën e kuzhinës, me shumë gjëra që doja të thoja,” rrëfeu ajo.
“Më pas fillova të shkruaja dhe thashë, ‘As nuk dua ta vë këtë në univers.’ Dua të hyj në këtë përvojë duke menduar se do të kthehem. Do të kthehem me të gjitha pjesët e trupit. Por s’mund të mos e mendosh, në një nivel.”