Këngëtarja e njohur Katy Perry është parë në një darkë intime me ish-kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, duke ndezur menjëherë spekulimet për një romancë të re, vetëm disa javë pas ndarjes së saj nga aktori Orlando Bloom. Dyshja janë filmuar teksa darkonin së bashku në restorantin luksoz Le Violon në Montreal të hënën, ndërsa Perry ndodhet në Kanada për turneun e saj muzikor “Lifetimes”.
Në videon e siguruar nga TMZ, Perry dhe Trudeau shfaqen shumë të afërt, duke biseduar me përqendrim dhe duke buzëqeshur, me këngëtaren që gjesteon shpesh, ndërsa Trudeau e dëgjon me vëmendje.
Darkimi i përbashkët vjen në një moment të ndjeshëm për të dy: Katy Perry, 40 vjeçe, sapo ka kaluar një ndarje të vështirë nga Bloom, me të cilin ka një vajzë 4-vjeçare, Daisy, ndërsa Justin Trudeau, 53 vjeç, është përballur me një rënie të papritur politike dhe një divorc pas 18 vitesh martesë me Sophie Grégoire Trudeau. Trudeau dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit në janar 2025, pasi humbi mbështetjen e partisë dhe përplasjeve të brendshme për mënyrën e menaxhimit të marrëdhënieve me Donald Trump, presidentin e rizgjedhur të SHBA-së.
Katy Perry ka përjetuar muaj të trazuar. Përveç ndarjes nga Bloom, ajo është përballur me dështimin e albumit të saj të fundit “143”, i cili u kritikua si “i krijuar nga inteligjenca artificiale”, si dhe me kritika të forta për pjesëmarrjen në një fluturim turistik në hapësirë me Blue Origin, përkrah Gayle King dhe Lauren Sanchez. Perry u tall në rrjet pas kthimit, kur u ul në tokë duke mbajtur një lule daisy në dorë dhe duke e puthur tokën me emocion, ndërsa deklaronte se “ishte e lidhur me dashurinë” dhe “po merrte hapësirë për gratë në të ardhmen”.
Këto veprime u konsideruan “të shkëputura nga realiteti”, veçanërisht pasi ndodhën vetëm pak ditë pas kthimit në Tokë të dy astronautëve të NASA-s që kishin mbetur të bllokuar në hapësirë për nëntë muaj.
Ndërkohë, turneu “Lifetimes” ka pasur probleme të shumta, nga ngjashmëritë e akuzuara me performancat e Taylor Swift dhe Sabrina Carpenter, te një shfaqje në Chicago ku Perry, në një moment emocional, deklaroi: “Mendova se isha personi më i urryer në internet… por nuk besoj se është më kështu.”
Nga ana tjetër, Trudeau – i cili shërbeu si kryeministër që nga viti 2015 – dha dorëheqjen në janar, mes tensioneve të brendshme në Partinë Liberale dhe pakënaqësive të mëdha publike për krizën e kostos së jetesës, strehimit dhe emigracionit në rritje. Ai u pasua në mars nga Mike Carney. Trudeau përjetoi gjithashtu presion nga Donald Trump, i cili sapo kishte fituar një mandat të dytë presidencial. Trump njoftoi tarifa 25% ndaj mallrave kanadeze dhe më pas e rriti në 35%, duke fajësuar Kanadanë për krizën e fentanylit dhe “dështimin për të ndaluar trafikun e drogës”.
Në një përpjekje të fundit për të zbutur marrëdhëniet, Trudeau fluturoi drejt Mar-a-Lago për t’u takuar me Trump dhe për ta bindur të mos vendoste tarifat, duke thënë se do të dëmtonin ekonominë kanadeze.
Një ndarje e qetë, por tensione të shumta në sfond
Katy Perry dhe Orlando Bloom konfirmuan ndarjen muajin e kaluar, pas spekulimeve disa mujore. Bloom nuk ishte i pranishëm në dasmën e bujshme të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, ndërsa Perry ndodhej në Australi. Ai postoi më pas një mesazh enigmatik në Instagram për “vetminë” dhe “errësirën”.
Zëdhënës të çiftit deklaruan se Perry dhe Bloom po fokusohen tani në bashkë-prindërimin e vajzës së tyre Daisy, me prioritet dashurinë dhe stabilitetin. Ndërkohë, burime pranë Perry thanë për Us Weekly se ndarja ishte “e paqësishme” dhe “nuk ka qenë e përplasur”, por gjithsesi e vështirë për këngëtaren, e cila e përshkroi divorcin e parë me Russell Brand si periudhën më të errët të jetës së saj.
Me të dy protagonistët, njëra ikonë pop dhe tjetri trashëgimtar i një dinastie politike, duke kaluar faza transformuese në jetën personale dhe publike, darka në Montreal ndez pyetjen nëse kemi të bëjmë me një miqësi të rastësishme, një afrim strategjik… apo fillimin e një romance të bujshme që mund të bëhet kryefjalë e lajmeve rozë këtë verë.