FLASH :

Katër tipat e lashtë të personalitetit që po na formësojnë edhe sot

Nëse keni parë apo lexuar ndonjëherë dramën e Shakespeare-it The Taming of the Shrew nga fundi i shekullit të 16-të, ndoshta jeni njohur me stereotipet gjinore të asaj kohe. Historia e famshme përqendrohet te protagonisti Petruchio, i cili i imponon dënime të ndryshme gruas së tij kokëfortë, Katherine, për ta shndërruar në një grua të “përsosur”, të bindur dhe të nënshtruar.

Por ajo që publiku i sotëm mund të mos e dijë, është se kokëfortësia e papërballueshme e Katherine-s në atë kohë diagnoztikohej si rezultat i një tepricë të të ashtuquajturës bilë e verdhë (e njohur si “kolerë”) në gjak – gjë që shkaktonte një temperament kokëfortë dhe të nxehur. Më bizare akoma, trajtimi për këtë gjendje përfshinte ndalimin e ushqimeve të “nxehta” që mund ta përkeqësonin gjendjen e saj – për shembull, mish viçi me mustardë ishte rreptësisht i ndaluar.

Megjithëse sot mund të duket absurde, teoria e lëngjeve trupore, nga ku buronin këto ide, ishte një strukturë shumë e përhapur për të kuptuar shëndetin dhe personalitetin në kohën e Shakespeare-it – dhe për mijëvjeçarë më parë.

“Dëshira për të klasifikuar njerëzit dhe sjelljen e tyre ka ekzistuar që nga koha e historisë së shkruar – dhe ndoshta edhe më herët,” – thotë Pamela Rutledge.

Përveç “kolerikëve” të zemëruar si Katherine, ekzistonin edhe “melankolikët” depresivë që kishin tepricë të bilës së zezë; “flegmatikët” (njerëz të butë dhe të qetë, të mbushur me flegmë), dhe “sanguinët” – persona të gëzuar, të shoqërueshëm dhe plot jetë, që mendohej se kishin bollëk gjaku të ngrohtë, gjë që reflektohej në faqet e tyre të kuqe.

Kjo teori, që e ka origjinën nga filozofët e lashtë grekë, mbeti e rëndësishme deri në periudhën e Iluminizmit. Ajo ndikonte në këshillat për shëndetin, në zgjedhjen e ushqimeve, në trajtimet mjekësore dhe madje edhe në vendin ku duhej të jetonin njerëzit – të gjitha këto bazuar në përkatësinë e tyre ndaj njërit nga katër lëngjet. Megjithatë, me zhvillime të tilla si diseksioni, kuptimi më i mirë i qarkullimit të gjakut dhe shpikja e mikroskopit, teoria nisi të sfidohej – por u zhduk vetëm gradualisht.

Dhe megjithëse pretendimet biologjike janë rrëzuar prej kohësh – për fat të mirë, trupat tanë nuk janë të tejmbushur me bilë e flegmë – gjurmë të kësaj teorie vazhdojnë të ekzistojnë edhe në modelet psikologjike të bazuara shkencërisht sot.

Rrënjët e teorisë së lëngjeve trupore

Rrënjët e kësaj teorie gjenden te Empedokli, filozof para-Sokratik (494–434 p.e.s), i cili propozoi se katër elementët klasikë – toka, uji, ajri dhe zjarri – janë ndërtuesit e universit. Por është Hipokrati (460–370 p.e.s), mjeku i njohur grek, ai që zakonisht njihet për zhvillimin e teorisë së katër lëngjeve trupore: bila e verdhë, bila e zezë, flegma dhe gjaku – dhe ndikimin që ato kanë në trupin e njeriut.

Galen dhe tekstet e tij së bashku me ato të Hipokratit e kthyen këtë teori në një obsesion shumëvjeçar me temperaturën dhe lagështinë e trupit, ushqimit dhe ambientit përreth. Këto lëngje mendohej se përputheshin me katër elementët, katër stinët dhe fazat e jetës.

Melankolikët: të ftohtë dhe të thatë, të lidhur me tokën, dimrin dhe pleqërinë.

Sanguinët: të ngrohtë dhe të lagësht, të lidhur me ajrin, pranverën dhe adoleshencën.

Kolerikët: të ngrohtë dhe të thatë, të lidhur me zjarrin, verën dhe fëmijërinë.

Flegmatikët: të ftohtë dhe të lagësht, të lidhur me ujin, vjeshtën dhe moshën e rritur.

Si dallohej tipi i personalitetit? Nga pamja e jashtme

Sipas Steve Shapin, historian i shkencës në Universitetin e Harvardit, “Pamja e jashtme tregonte, në një masë të madhe, se cili lëng dominonte tek ti”.
Ai shton:

“Në veprat e Shakespeare-it, melankolikët ishin me ngjyrë të errët dhe të zverdhur në fytyrë. Flegmatikët ishin të shëndoshë, me lëkurë të lagësht ose me yndyrë, ndërsa kolerikët kishin pamje të ashpër dhe vështrim të mprehtë.”
(Shënim: praktika e fizionomisë, gjykimi i karakterit nga pamja, është diskredituar që në fund të shek. XIX.)

Përkundër asaj që mund të mendohet, lëngjet nuk ishin të pandryshueshme. Mendohej se balanca e tyre mund të arrihej përmes dietës. Për shembull, flegmatikëve u rekomandohej të shmangnin pjeshkët dhe pjepujt – “ishin shumë të ujshëm”, thotë Shapin. Madje, individët mund të udhëzoheshin të jetonin në vende më të ngrohta, më të ftohta, më të thata apo më të lagështa për të balancuar trupin me ambientin.

Një teori që zgjati me shekuj

Shapin thotë:

“Leximet e Galenit u kthyen në tekste të shenjta për mjekët gjatë shekujve 17 dhe 18. Zbulimi i asaj që njerëzit ishin dhe gjuha që mjekët përdornin për të dhënë këshilla mbi mënyrën e jetesës, ishte një tipar shumë i qëndrueshëm i kulturës.”

Më në fund, ndikimi i teorisë filloi të zbehej, duke u zëvendësuar me shkencën moderne të ushqyerjes në mesin dhe fundin e shekullit XIX.

Përtej shkencës së rrëzuar – ndikimi në psikologjinë moderne

Pavarësisht se bazat biologjike janë rrëzuar, archetypet e personalitetit të Shakespeare-it duken ende të njohura për publikun e sotëm.

“Kur u mësoj studentëve Romeo dhe Zhulieta, ata thonë: ‘O Zot, Romeo është kaq emo’,” – thotë Sarah Dustagheer, historiane letrare në Universitetin e Kentit.

Ajo shton:

“Shekulli XVII ishte shumë i ndryshëm nga shoqëria jonë, por disa aspekte themelore të ndjenjave dhe përvojës njerëzore nuk kanë ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar është mënyra se si i interpretojmë.”

Këtë e vërtetoi edhe psikologu Hans Eysenck në vitet 1950, i cili përdori një qasje të quajtur “analiza e faktorëve” për të studiuar ndryshoret e personalitetit (si agresiviteti apo ndrojtja) dhe për të zbuluar nëse ato lidhen me dimensione më të thella.