Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku katër të rinj kanë marrë me forcë në automjet një 48-vjeçar dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht. Policia ka identifikuar autorët, të cilët janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, viktima D. S., 48 vjeç, ka kallëzuar në polici se është marrë peng dhe dhunuar nga katër persona të njohur, të cilët e kanë futur në një automjet dhe e kanë goditur. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë nisur hetimet dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Të dyshuarit janë:
- A. K., 27 vjeç
- K. K., 31 vjeç
- J. K., 35 vjeç
- S. P., 27 vjeç
të gjithë banues në qytetin e Durrësit.
Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur në ngjarje dhe po punon intensivisht për kapjen e personave në kërkim, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti të rëndë.
48-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprime të mëtejshme ligjore.