FLASH :

Katër fshatra digjen totalisht në Gramsh, tymi mbulon zonën deri në Cërrik. Helikopterët e emergjencave ulen në stadium

Flakët, që nisën rreth orës 11:00 në fshatin Kullollas, dyshohet se u shkaktuan nga një shtetas rreth 80 vjeç, i cili kishte ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij. Zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur me shpejtësi, duke djegur plotësisht fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër. Për pasojë, i moshuari dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia.

Tymi i dendur ka mbuluar gjithë zonën deri në afërsi të Cërrikut, ndërsa helikopterët e emergjencave janë pozicionuar në stadiumin e Gramshit për të transportuar të lënduarit drejt Tiranës. Forcat e Policisë, Zjarrfikëses dhe Emergjencave Civile po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve. Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po heton për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, teksa nga spitali i Gramshit janë publikuar pamje të të lënduarve që po marrin trajtim mjekësor.