Princi dhe Princesha e Uellsit u takuan sot me prindërit e Liz Hatton, adoleshentja fotografe që fitoi zemrat e britanikëve me luftën e saj të guximshme ndaj kancerit.
Kate, 43 vjeçe, u shfaq me të njëjtin fustan ngjyrë limoni nga Emilia Wickstead dhe kapele nga Phillip Treacy që kishte veshur edhe në vitin 2022 për Jubileun e Platinit të Mbretëreshës Elizabeth. Ajo qëndroi në tarracë për të dëgjuar himnin kombëtar në kopshtin e Pallatit Buckingham, ndërsa Princi William kishte veshur një kostum të kompletuar gri dhe një kapele të lartë tradicionale.

Kjo ishte paraqitja e saj e parë në një Garden Party që nga viti 2023, pasi mungoi vitin e kaluar për shkak të trajtimit kundër kancerit.
Prindërit e Liz, Vicky dhe Aaron, së bashku me vëllain e saj Mateo, 9 vjeç, zhvilluan një bisedë prekëse me çiftin mbretëror në eventin e mbajtur për nder të vajzës së tyre. Kur Kate pa nënën e Liz, e përqafoi ngrohtësisht.

Prindërit e Liz thanë se takimi me Princin dhe Princeshën ua ndryshoi jetën në mënyrë pozitive.
Çifti mbretëror, së bashku me Zara Tindall, Princeshën Eugenie dhe Dukën dhe Dukeshën e Edinburgut, e kishin takuar Liz-in vetëm pak muaj para se ajo të ndërronte jetë. Takimi ndodhi në Kështjellën Windsor, gjatë një momenti emocional që la gjurmë te William dhe Kate.
Liz, nga Harrogate, u bë e njohur për publikun me vendosmërinë për të jetuar plotësisht, pavarësisht se ishte diagnostikuar me një tumor të pashërueshëm në tru.
Sot, Kate dhe William kaluan disa minuta duke biseduar me nënën e Liz-it, Vicky Robayna, dhe njerkun e saj, Aaron Robayna Thompson, të ftuar të veçantë mes 7,500 pjesëmarrësve.
Liz e kishte realizuar ëndrrën e saj për të fotografuar Princin e Uellsit gjatë një ceremonie investiture në tetor 2024 – një moment nga “lista e dëshirave” që e përmbushi pak javë para vdekjes së saj në nëntor.


Gjatë takimit, familja i dhuroi çiftit mbretëror lodra pelushi të Jellycat – një tartë limoni dhe një qepë të turshi – të cilat Liz i dhuronte njerëzve që e bënin të lumtur.
“Përshtaten me fustanin tim,” tha Kate me buzëqeshje. Ajo i tha Mateo-s: “Nëse ke nevojë për ndihmë me ndonjë fondmbledhje, ndoshta mund të të ndihmoj. Ju lutem qëndroni në kontakt, vërtet.”
Prindërit e Liz thanë pas takimit:
“Kaluan një ditë të mrekullueshme. Liz do të kishte dashur shumë ta përjetonte. Mateo tani ka shumë foto për t’i treguar në shkollë.”
Në një postim më herët, Princesha kishte shkruar për Liz:
“Ishte një kënaqësi të takoheshim me Liz në Windsor. Një fotografe e talentuar, e cila na frymëzoi me forcën dhe kreativitetin e saj. Faleminderit që ndave me ne historinë dhe fotot e tua.”
Pas vdekjes së saj, çifti mbretëror publikoi një deklaratë ngushëllimi:
“Jemi thellësisht të trishtuar që Liz Hatton ka ndërruar jetë. Ishte një nder ta njihnim një të re kaq të guximshme dhe modeste. Lutjet tona shkojnë për prindërit Vicky dhe Aaron, dhe për vëllain e saj Mateo, në këtë kohë të pamundur për t’u përshkruar.”

Pas humbjes së vajzës, Vicky dhe Aaron themeluan fondacionin “Capture”, një bamirësi që mbështet të prekurit nga Desmoplastic Small Round Cell Tumour, forma e rrallë e kancerit që i mori jetën Liz-it. Bamirësia tashmë ka financuar projektin e parë kërkimor dhe do të hapë faqen e saj zyrtare në fund të majit.
Ajo po ashtu organizon aktivitete për mbledhje fondesh, përfshirë një notim 24-orësh dhe një sfidë maratone për 100 ekipe. Një kalendar fotografik me veprat e Liz-it do të publikohet në ditëlindjen që ajo do të kishte mbushur 18 vjeç.
Në Garden Party-n e sotëm morën pjesë edhe figura të tjera të njohura:
- Tony Hudgell, djaloshi me të dyja këmbët të amputuara nga Kent, i cili humbi Garden Party-n mbretëror vitin e kaluar për shkak të trafikut. Këtë herë arriti me kohë dhe u prit ngrohtësisht nga Mbretëresha Camilla dhe Princi William.
- Steven Frank, i mbijetuar i Holokaustit, me të cilin Kate u ritakua sot. Ajo kishte fotografuar z. Frank në vitin 2020 për ekspozitën “Generations: Portrete të të mbijetuarve të Holokaustit”. Kate i tha: “Ndjehem sikur jemi tashmë miq të vjetër. Kënaqësi të të shoh sërish.”


Edhe pse Mbreti nuk ishte i pranishëm, festa në kopshtet e Pallatit Buckingham njihet ende si Garden Party i Mbretit dhe mbahet në emër të tij. Tradicionalisht mbahen katër festa të tilla çdo verë, tre në Londër dhe një në Skoci.







