Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhive të dhunshme dhe përmbytjeve të mëdha që kanë goditur Rivierën Franceze, një ngjarje që autoritetet po e cilësojnë si “katastrofë natyrore”.
Sipas raportimeve, rrugë e ura janë shkatërruar plotësisht, ndërsa makina janë marrë përpara nga uji në qytete si Le Lavandou dhe Vidauban. Një çift të moshuarish humbi jetën kur automjeti i tyre u përfshi nga përmbytjet në Le Lavandou, ndërsa trupi i gruas mbeti i bllokuar brenda. Viktima e tretë u konfirmua në Vidauban, ku një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal të përmbytur.
Kryetari i bashkisë së Le Lavandou, Gil Bernardi, përshkroi situatën si “skena lufte”, me “rrugë të shqyera dhe ura të rrëzuara”. “Ishte një fenomen i dhunshëm, i pabesueshëm dhe i pamëshirshëm,” tha ai për televizionin BFM.
Në qytetin e Tonneins, më shumë se 500 pasagjerë të një treni TGV nga Toulouse për në Paris u evakuuan gjatë natës, pasi binarët u dëmtuan nga rrëshqitjet e tokës. Kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Dante Rinaudo, foli për “ortekë uji që përmbytën bodrumet dhe shtëpitë”. Ai kërkoi që stuhitë të njihen zyrtarisht si katastrofë natyrore nga qeveria franceze.
Ndërkohë, aeroporti La Môle–Saint-Tropez është përmbytur, ndërsa dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në plazhet dhe infrastrukturën përgjatë rivierës.
Transporti hekurudhor mes Agen dhe Marmande është pezulluar për disa ditë, ndërsa evakuimet vazhdojnë.
Autoritetet paralajmërojnë se moti i keq pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.
















