FLASH :

Katar mbyll hapësirën ajrore: Frikë nga sulm raketor ndaj bazës amerikane Al-Udeid

Katari ka njoftuar mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore dhe pezullimin e trafikut ajror, në kuadër të masave paraprake për shkak të tensioneve në rritje në rajon. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksohet se vendimi merret në bazë të zhvillimeve më të fundit që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Sipas raportimeve të BBC, ekziston një “kërcënim i besueshëm” për një sulm të mundshëm me raketa nga Irani ndaj Qendrës së Operacioneve Ajrore të Koalicionit, e drejtuar nga SHBA në bazën ushtarake Al-Udeid, pranë Dohas. Baza Al-Udeid është një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme dhe shërben si seli për Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), duke përfshirë gjithashtu trupa britanike dhe mijëra shtetas amerikanë që jetojnë në Katar.

Masat e marra nga autoritetet katariote pasqyrojnë seriozitetin e situatës dhe rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm në rajon.