Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar vendimin e Komisionerit Celibashi dhe ka vendosur t’i japë mandatin për deputete në Tiranë Ana Dajkos, e cila renditej e para në listën e mbyllur të koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Dajko është kushërira e Adriatik Lapajt dhe nënë e Vasil Dajkos, anëtar i kryesisë së partisë.
Ky vendim vjen pas një beteje të ashpër ligjore dhe politike, ku disa kandidatë të listës së mbyllur, mes tyre edhe Zeqir Kordhoni – daja i Endri Shabanit – kishin pretenduar mandatin, pavarësisht se më parë kishin depozituar dorëheqje në KQZ. Por KAS nuk i njohu këto dorëheqje si të vlefshme dhe vendosi t’i referohet renditjes së listës, duke e kaluar mandatin te kandidatja e parë.
Në rast se Ana Dajko refuzon mandatin, ai do t’i kalojë kandidatit të dytë në listë, e më tej me radhë. Kjo nënkupton se vetë Adriatik Lapaj, megjithëse më i votuari në listën e hapur, mbetet aktualisht jashtë Kuvendit, pasi ligjërisht nuk mund të anashkalohet lista e mbyllur.
Vendimi pritet të ngjallë reagime në radhët e strukturës “Shqipëria Bëhet”, pasi rrezikon të zhbëjë vullnetin e votuesve që mbështetën kandidatin më të spikatur të listës.