FLASH :

Karma direkte | I riu digjet vet pasi sulmon me molotovë

Ballymena është përfshirë nga dhuna për të dytën natë radhazi, ku protestues të maskuar kanë sulmuar policinë me bomba molotov, fishekzjarrë dhe gurë, duke shkaktuar një skenë lufte në rrugët e Irlandës së Veriut. Pamje tronditëse tregojnë momentin kur një protestues mori flakë pasi tentoi të hidhte një bombë molotov. Në total, 17 oficerë policie janë lënduar gjatë përleshjeve, ndërsa makina, biznese dhe shtëpi u dogjën nga turmat e dhunshme. Policia e Irlandës së Veriut (PSNI) ka konfirmuar se është detyruar të përdorë topa uji, plumba plastikë dhe njësitë me qen për të shpërndarë turmën.

Dhuna nisi pas arrestimit të dy 14-vjeçarëve me origjinë rumune, të akuzuar për tentativë përdhunimi oral ndaj një vajze adoleshente më 7 qershor. Një burrë 28-vjeçar u arrestua më pas në lidhje me të njëjtën ngjarje, duke shtuar tensionet në komunitet. Policia ka deklaruar se trazirat kanë prapavijë raciste dhe po shqyrton pamjet filmike për të identifikuar autorët, ndërsa paralajmëron arrestime të tjera. Një operacion i gjerë policor do të vijojë në ditët në vijim, ndërsa është marrë në konsideratë edhe sjellja e forcave ndihmëse nga Anglia dhe Uellsi.

Protestuesit, të armatosur me shkopinj, shishe, biçikleta fëmijësh dhe objekte të tjera, kanë dëmtuar makina, kanë thyer dritare dhe kanë përfshirë në flakë rrugët përreth zonës Clonavon Terrace. Në një përpjekje të frikshme për të shmangur dhunën, disa banorë kanë vendosur tabela në dyert e tyre me përshkrime të kombësisë, si “Banesë britanike” apo “Jetojnë filipinas këtu”. Kryekomisioneri i PSNI, Jon Boutcher, ka dënuar ashpër dhunën, duke paralajmëruar se ajo rrezikon të sabotojë vetë procesin e drejtësisë për viktimën që po mbështetet nga institucionet.

Në një deklaratë nga zëdhënësi i kryeministrit britanik, u theksua se “nuk ka asnjë justifikim për sulme ndaj oficerëve të policisë apo vandalizim të pronave”. Sekretari për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, e quajti situatën “të tmerrshme dhe të papranueshme”. Deri tani, janë arrestuar gjashtë persona dhe policia ka njoftuar se do publikojë pamje për të identifikuar të tjerët. Familjet rumune të prekura kanë deklaruar se janë të trembura për jetën dhe po kërkojnë të largohen nga zona, ndërsa qyteti përpiqet të rikthejë qetësinë pas dy netëve të zjarrta që kanë shkundur gjithë vendin.