Një tjetër skandal godet industrinë e karburanteve në Shqipëri, këtë herë në portin e Himarës, ku kompania “Eida”, pjesë e grupit Europetrol Albania, është kapur në flagrancë duke furnizuar mjete lundruese me rreth 6000 litra benzinë, pa përdorur pajisje fiskale, në shkelje të hapur të ligjit për fiskalizimin dhe detyrimeve tatimore.
Specialistët e krimeve ekonomike në DVP Vlorë ushtruan kontroll në subjektin pas informacioneve operative dhe konstatuan se shitja e karburantit po kryhej përmes një autoboti, pa lëshuar kupon tatimor apo përdorur kasë fiskale. Si rezultat, u proceduan penalisht administratori S.K., 40 vjeç, banues në Krujë, dhe menaxheri M.R., 51 vjeç, banues në Himarë.
Por kjo nuk është hera e parë që kompania “Eida” dhe figura e saj qendrore, Frident Kuqi, bëhen pjesë e hetimeve. Biznesmeni i njohur i naftës, që kontrollon një pjesë të konsiderueshme të tregut të hidrokarbureve në vend, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës për “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “keqtrajtim personi”, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur më 3 tetor 2019.
Sipas kallëzimit të viktimës Gëzim Ibrahimi, pronar i një pike karburanti në Përmet, ai është thirrur, rrahur dhe më pas marrë peng në zyrën e Kuqit në Tiranë, për t’u detyruar të firmoste një deklaratë noteriale nën presion, ku pranonte një borxh të diskutueshëm ndaj biznesmenit. Gjatë rrëfimit të tij në polici, Ibrahimi tregoi për një skenë të frikshme dhune, presioni dhe detyrimi fizik, në prani të personave të tjerë të panjohur, përfshirë edhe një ish-drejtues të policisë.
Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës vijon prej vitesh hetimin për këtë çështje, asnjë masë ndalimi nuk është marrë ndaj Frident Kuqit, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin politik dhe lidhjet e tij në struktura shtetërore.
Rasti më i fundit në Himarë shton edhe më shumë hije dyshimi mbi funksionimin e zinxhirit të furnizimit të hidrokarbureve në Shqipëri dhe paprekshmërinë e disa operatorëve që operojnë me përmasa oligarkike dhe mbi ligjin.
Hetimet për rastin e Himarës janë në vijim, ndërsa pritet që organet tatimore dhe hetimore të zgjerojnë kontrollin edhe mbi aktivitetin e kompanisë “Eida” në pika të tjera bregdetare gjatë sezonit veror.