Një episod i pazakontë ndodhi përpara fillimit të sfidës mes River Plate dhe Urawa Reds në Kupën e Botës për Klube, ku kapiteni i skuadrës japoneze, Marius Hoibraten, refuzoi të shtrëngonte duart me lojtarët argjentinas. Gjatë ceremonisë para ndeshjes në stadiumin Lumen Field në Seattle, teksa lojtarët dolën në fushë, Hoibraten kaloi përpara kundërshtarëve pa ndalur për t’i përshëndetur, duke habitur lojtarët e River Plate dhe tifozët në stadium.
Pas ndeshjes, që përfundoi me fitoren 3-1 të River Plate, mbrojtësi 30-vjeçar reagoi në rrjete sociale për të sqaruar situatën. “E kam harruar të shtrëngoj duart sepse skema ishte ndryshe. Ishte një moment konfuz për mua dhe nuk e kuptova si duhej të veproja,” shkroi Hoibraten. Ai u kërkoi falje lojtarëve në dhomat e zhveshjes dhe më pas edhe tifozëve argjentinas, duke theksuar se nuk ishte aspak qëllimi i tij të tregohej i pandjeshëm apo arrogant. Incidenti, edhe pse i çuditshëm, përfundoi pa përplasje, ndërsa River vijon rrugëtimin e tij në turne me moral të lartë.







