Një aparat celular është sekuestruar nga grupi i sigurisë në burgun e Drenovës, gjatë një kontrolli të ushtruar në njërën prej qelive të institucionit. Telefoni është kapur në sektorin ku po vuan dënimin një i dënuar për veprimtari të lidhura me lëndët narkotike.
Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se telefoni mund të jetë përdorur nga i dënuari Laert Haxhiu, i cili ndodhet në të njëjtin sektor. Hetimet për këtë rast po vijojnë nga Prokuroria e Korçës në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA.
Autoritetet po hetojnë për të verifikuar nëse telefoni është përdorur nga Haxhiu apo persona të tjerë të dënuar, si dhe për të zbuluar nëse ka pasur kontakte të dyshimta jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.