FLASH :

Kapet skifteri i biçikletave dhe monopateve në Tiranë, ja si i zhdukte për pak sekonda

Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion hetimor të gjerë për zbardhjen e serisë së vjedhjeve të biçikletave dhe motomjeteve elektrike të ndodhura në kryeqytet gjatë muajve të fundit. Nga janari deri në qershor janë evidentuar 10 raste të tilla, të kryera në lagje të ndryshme të Tiranës, kryesisht gjatë natës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas kallëzimeve të shumta nga qytetarët, në bashkëpunim me komisariatet Nr. 1 dhe Nr. 2, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Duke përdorur pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë, u bë e mundur zbardhja e plotë e 10 vjedhjeve, të ndodhura konkretisht në muajt janar, prill, maj dhe qershor.

Si rezultat, u identifikuan dhe u proceduan dy shtetas: A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim; si dhe F. T., i cili është proceduar në gjendje të lirë. Të dy rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar nëse këta shtetas janë autorë edhe të rasteve të tjera të ngjashme. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.