FLASH :

Kapet shqiptar në Itali me 25 kg kokainë, 56 mijë euro dhe armë – droga fshihej me sistem mekanik poshtë sediljeve

Një operacion i Guardia di Finanza në Itali ka zbuluar një sasi të konsiderueshme droge të trafikuar nga një shtetas shqiptar. Gjatë një kontrolli rrugor në provincën e Peruxhias, autoritetet ndaluan automjetin e një shqiptari me banim në komunën Spello, duke zbuluar fillimisht 12 kg kokainë dhe 10 mijë euro të fshehura në një ndarje të sofistikuar nën sediljet e pasme.

Hetimi u shtri më pas në dy banesat e tij, ku u sekuestruan edhe 13 kg të tjera kokainë, 46 mijë euro cash, disa aparate celularë të kriptuar dhe një pistoletë me numër serial të modifikuar.

Në total, operacioni çoi në kapjen e:

  • 25 kg kokainë në 21 pako,
  • 56,000 euro para cash,
  • një armë zjarri,
  • celularë të koduar, të përdorur për komunikim të sigurt.

Sipas autoriteteve italiane, vlera e drogës në treg kap shifrën mbi 2.5 milionë euro. Shqiptari u arrestua dhe ndodhet në burgun e Spolettos, në pritje të hetimeve të mëtejshme nga drejtësia italiane.

Ky është një tjetër rast që përforcon rolin kyç të disa grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës, veçanërisht në Italinë qendrore.