Një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted” është finalizuar me sukses nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe rrjetin evropian të ndjekjes së të kërkuarve, ENFAST.
Në qendër të operacionit ishte shtetasi shqiptar A. K., 37 vjeç, lindur në Tepelenë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës. Ai u arrestua në Tepelenë nga strukturat e FAST Albania dhe DVP Gjirokastër, në koordinim me FAST Kosovën dhe rrjetin ENFAST.
Ndaj tij janë lëshuar dy urdhër arreste nga Gjykata Themelore e Pejës gjatë vitit 2024 – njëri për kultivim të bimëve narkotike, dhe tjetri për të njëjtën vepër penale, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Operacioni është pjesë e një strategjie të zgjeruar për kapjen dhe ekstradimin e personave të rrezikshëm dhe të përfshirë në aktivitete kriminale ndërkufitare.
Ndërkohë, Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e 37-vjeçarit drejt Kosovës, ku do të përballet me drejtësinë.







