Policia Kufitare në Pikën e Kalimit të Kakavijës, në bashkëpunim me oficerët e misionit Frontex, ka vënë në pranga një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim, që tentoi të fuste në vend një shumë të madhe parash pa e deklaruar.
Arbër Shehu, 41 vjeç, u ndalua pranë një karburanti afër kufirit, pasi u konstatua se kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe mbante me vete 160 mijë euro të ndara në zarfe, të fshehura në çantën e shpinës. Ai nuk i kishte deklaruar paratë në momentin e kalimit të kufirit, duke shkelur rregullat për qarkullimin e vlerave monetare.
Kontrollet intensive të policisë u përqendruan në identifikimin e personave në kërkim dhe në parandalimin e krimeve ndërkufitare. Gjatë verifikimeve, rezultoi se Shehu ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi Gjykata e Tiranës e kishte dënuar me 1 muaj burg për veprën penale të “vjedhjes”.
Policia ka sekuestruar shumën prej 160 mijë eurosh dhe ka nisur hetimet për burimin e parave dhe qëllimin e transportit të tyre.
Ngjarja po hetohet në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa pritet të jepen detaje të tjera mbi aktivitetin e dyshuar të 41-vjeçarit
“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e paligjshmërive në kufi, ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim apo të atyre që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kalimi, në mënyrë të parregullt, kanë kapur në afërsi të një karburanti, në pkk, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në Shqipëri, shtetasin A. Sh., 41 vjeç, rezident në Greqi.Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 41-vjeçarit shërbimet e Policisë gjetën në çantën e shpinës, disa zarfe brenda të cilave kishte 160 000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar në pkk.
Gjithashtu, si rezultat i verfikimeve të kryera ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga ana e DVP Tiranë, u bë ndalimi i tij”, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.