FLASH :

Kapet në flagrancë? Denoncim për blerje votash pranë zyrës së PS në Maqellarë – Dyshohet për përfshirje kandidati Agron Malaj

Vetëm një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, është denoncuar një tjetër rast i dyshuar për shitblerje votash. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes pranë zyrave elektorale të Partisë Socialiste në Maqellarë, Dibër.

Sipas një qytetari që ka dërguar pamje video, një automjet i errët me xhama të zinj është parë i ndalur pranë selisë së PS. Ai pretendon se brenda mjetit ndodheshin kandidati i Partisë Socialiste për deputet në zonë, Agron Malaj, dhe një tjetër zyrtar i lartë që ushtron funksion drejtues në qarkun e Dibrës. Qytetari ka ngritur dyshime të forta se brenda automjetit po zhvillohej shpërndarje parash me qëllim blerjen e votave, një praktikë e paligjshme që është dënuar publikisht nga të gjitha forcat politike, por që ende mbetet një shqetësim i madh në prag të çdo procesi zgjedhor.

Burime të tjera pranë zonës konfirmojnë praninë e mjetit pranë selisë, ndërsa policia lokale ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim apo sqarim zyrtar në lidhje me ngjarjen. Nuk dihet nëse organet e hetimit janë vënë në lëvizje apo nëse videoja e publikuar është marrë në shqyrtim nga Prokuroria.

Nga ana tjetër, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as Partia Socialiste dhe as vetë kandidati Agron Malaj nuk kanë dalë me një reagim për të hedhur poshtë apo për të sqaruar akuzat.

Ky është rasti i dytë i raportuar për blerje të mundshme votash brenda javës, duke shtuar shqetësimet për besueshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit.