FLASH :

Kapet në Angli shqiptari që fshihte kokainën në enë me vazelinë – dënohet me gati 3 vite burg

Një trafikant shqiptar kokaine, Leonard Petku, 25 vjeç, është dënuar me dy vite e nëntë muaj burg nga Gjykata e Kurorës në Stafford, Angli, pasi u kap me kokainë të fshehur në enë me vazelinë.

Petku, i cili nuk ka një adresë të përhershme, u ndalua më 14 maj në Tamworth, gjatë një kontrolli të makinës që po drejtonte. Ai kishte ndaluar në një lavazh, ku oficerët e policisë së Staffordshire zbuluan tre enë të mbushura me kokainë, një telefon dhe 620 paund para të gatshme.

I riu u shpall fajtor për posedim me qëllim furnizimi të drogës së Klasit A, posedim pasurie kriminale, drejtim pa leje dhe përdorim të makinës pa siguracion. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e të gjitha parave të sekuestruara.

Autoritetet në Staffordshire kanë deklaruar se vijojnë aksionet intensive kundër krimit të organizuar, duke arrestuar mbi 1,000 persona që nga maji 2023, për vepra të lidhura me trafikun e drogës dhe armëve.