Policia e Librazhdit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të kanabisit, në kuadër të operacionit “Koordinata”. Një person është arrestuar, pasi u kap duke kultivuar 150 fidanë kanabis sativa në një parcelë në fshatin Spathar.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është shtetasi J. R., ndërsa fidanët e zbuluar u asgjësuan me djegie në vendngjarje. Ndërkohë, për kryetarin e fshatit Spathar, shtetasin N. Xh., është nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Policia bëri të ditur se zbulimi i parcelës u bë falë kontrolleve intensive me forca të shtuara dhe dronë, si dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive.
Operacioni për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit të bimëve narkotike vazhdon në të gjithë territorin e rrethit të Librazhdit, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.







