FLASH :

Kapet mat “Pirromani” në Maliq, shkrumboi hektarë të tërë për të hapur kullota të reja

Si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin:

G. A., 26 vjeç, banues në fshatin Pirg.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 30.07.2025, rreth orës 15:00, ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Arat e Sulës”, mbi fshatin Leminot, me qëllim hapjen e kullotave të reja, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

 Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.