Protesta masive “Unite the Kingdom”, e organizuar të shtunën në qendër të Londrës nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, është shoqëruar me skena të dhunshme dhe përplasje të shumta midis protestuesve, kundër-protestuesve dhe forcave të rendit ku morën pjesë rreth 110,000 deri në 150,000 protestues në qendër të Londrës.
Pamje dramatike treguan momentin kur policia u detyrua të ndërhynte për të shpëtuar një burrë, i cili dukej i pavetëdijshëm në tokë, ndërsa dhuna përshkallëzohej pranë Trafalgar Square. Viktima, një burrë me ngjyrë, shihej në video duke u goditur nga turma, përpara se të tërhiqej zvarrë nga oficerët drejt zonës së sigurt.
Policia Metropolitane raportoi agresion të madh ndaj forcave të rendit, ku të paktën 26 policë u plagosën, përfshirë katër me lëndime serioze. 25 persona u arrestuan për akte të dhunës, përleshje, dëmtime dhe sulme ndaj oficerëve.
Protestuesit – shumë prej tyre të mbështjellë me flamuj të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shën Gjergjit – u përplasën me kundër-protestues të organizuar nga grupi Stand Up To Racism, të cilët ishin rreth 5,000 veta.
Në kulmin e protestës, grupe të dhunshme nga turma e Robinson u përpoqën të çanin kordonët policorë për të arritur kundër-protestuesit, duke shtyrë oficerët dhe duke hedhur mjete të forta.
Policia e përshkroi ngjarjet si “plotësisht të papranueshme” dhe paralajmëroi se arrestime të tjera priten në ditët në vijim.
Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood dhe kryetari i Londrës Sadiq Khan dënuan dhunën ndaj policisë dhe theksuan se protestat paqësore janë të drejta demokratike, por aktet kriminale nuk do të tolerohen.
Protesta u mbyll pas orarit të lejuar nga policia (6 pasdite), ndërsa situata mbeti e tensionuar deri në orët e vona, me përleshje të vazhdueshme në zonat rreth Whitehall, Embankment dhe Trafalgar Square.