Një incident i pazakontë dhe i rrezikshëm ka ndodhur të premten e kaluar në plazhin Crab Island të Floridës, kur të paktën 18 ushtarë të Army Rangers duket se dolën jashtë kontrollit dhe hapën zjarr me fishekë qorre pranë pushuesve dhe varkëtarëve, duke shkaktuar panik dhe frikë për një masakër të mundshme.
Ushtarët, të veshur me uniforma ushtarake dhe bluza me mbishkrimin “Army Ranger”, ndodheshin në dy varka të vogla dhe, siç shihet në videot e postuara në rrjetet sociale, qëlluan disa herë në ajër pranë njerëzve që po notonin apo qëndronin në ujërat e cekëta.
Një grua në video dëgjohet duke bërtitur: “Është e vërtetë kjo?”, ndërsa të tjerë janë përpjekur të fshihen nga frika se bëhej fjalë për një sulm të armatosur të vërtetë. Kapiteni i një varke çarteri, Michael Ingram, tha se klientët e tij u tmerruan dhe tentuan të fshiheshin, ndërsa ai mendoi se dikush mund të ishte vrarë.

Autoritetet në alarm, ushtria nis hetim të brendshëm
Zyra e Sherifit të Okaloosa County konfirmoi se mori të paktën dy telefonata emergjente në numrin 911 për të shtëna armësh. Ngjarja ndodhi vetëm pesë milje larg nga Billy Bowlegs Pirate Festival në Fort Walton Beach, një ngjarje e përvitshme ku Rangerët marrin pjesë në një betejë të inskenuar me fishekë qorre si pjesë e festimeve.
Por autoritetet dhe organizatorët mohuan çdo lidhje të incidentit në Crab Island me festivalin. Zyrtarët e qytetit thanë se të shtënat nuk ishin të planifikuara, të lejuara apo të përfshira në skedën zyrtare të festivalit. “Çfarë ndodhi në Crab Island NUK ishte pjesë e festivalit,” deklaroi zyrtari i qytetit Devon Ravine.
Një ushtar, që foli në kushte anonimiteti për mediat, shprehu habinë e tij për veprimin e kolegëve, duke vënë në dyshim që një udhëheqës i lartë të kishte dhënë leje për të qëlluar në një zonë publike plot civilë.

Ushtria amerikane pezullon 18 ushtarë, nis hetimin
Zëdhënësja e Qendrës së Manovrës së Ushtrisë në Fort Benning, Jennifer S. Gunn, konfirmoi se ushtria ka nisur një hetim zyrtar mbi incidentin dhe se të gjithë 18 ushtarët janë pezulluar përkohësisht nga detyrat si instruktorë në Camp Rudder, që ndodhet në bazën ushtarake Eglin Air Force Base.
“Ne e marrim këtë situatë shumë seriozisht dhe do të sigurojmë përgjegjësi të plotë në bazë të përfundimeve të hetimit,” tha Gunn.

Ndërsa shoqëria amerikane përballet me plagën e vazhdueshme të sulmeve masive me armë, veprime të tilla të papërgjegjshme nga pjesëtarë të një prej njësive elitare të ushtrisë ngjallin jo vetëm frikë, por edhe shqetësim për kulturën e përgjegjësisë dhe kontrollit brenda Forcave të Armatosura.







