FLASH :

Panik në fluturim: Pasagjeri hap derën emergjente për të marrë “ajër të pastër”

Një fluturim i linjës China Eastern Airlines u përfshi nga kaosi pasi një pasagjer hapi papritur derën emergjente sapo avioni kishte prekur tokën në aeroportin e Kunming, duke pretenduar se donte të “merrte pak ajër të pastër”.

Ngjarja ndodhi më 11 maj, gjatë zbarkimit të fluturimit MU5828, që kishte mbërritur nga qyteti i Changsha. Pamjet tregojnë momentin pas incidentit, kur burri tërhoqi dorezën e emergjencës dhe aktivizoi rrëshqitësen e evakuimit, ndërsa avioni ende po lëvizte në pistë.

Sipas dëshmitarëve, burri u shfaq i qetë dhe u tha pasagjerëve të tjerë se thjesht donte të merrte ajër. Por veprimi i tij shkaktoi panik në kabinë dhe vonesa prej 20 minutash në zbarkim, ndërsa stafi u përpoq të menaxhonte situatën.

Fatmirësisht askush nuk u lëndua, ndërsa autori i ngjarjes, i përshkruar si një i ri, u shoqërua menjëherë nga policia për marrje në pyetje.

Kinë, hapja e një dere emergjente në avion pa autorizim është vepër e rëndë dhe ndëshkohet me gjoba të majme që variojnë nga 10 mijë deri në mbi 20 mijë paund, në varësi të llojit të avionit dhe rrethanave.

Kjo ngjarje vjen vetëm tre vite pas një tragjedie tjetër të lidhur me China Eastern Airlines – në mars 2022, një nga avionët e saj u rrëzua gjatë fluturimit drejt Guangzhou, duke lënë pas 132 viktima, aksidenti i tretë më vdekjeprurës në historinë e aviacionit kinez.

Ky incident i pazakontë është vetëm një nga ngjarjet e fundit të çuditshme në qiell. Më herët këtë vit, një fluturim i linjës United Airlines drejt Shangait u detyrua të kthehej në Kaliforni, tre orë pas ngritjes, sepse piloti kishte harruar pasaportën.

Pasagjerët e atij fluturimi përjetuan një vonesë mbi gjashtë orëshe dhe, ndonëse kompania ofroi kupona ushqimi dhe kompensim, shumë udhëtarë u detyruan të ndryshojnë planet e tyre.

Megjithatë, rasti i pasagjerit që hapi derën për ajër mbetet një kujtesë se siguria ajrore varet jo vetëm nga pajisjet teknike, por edhe nga sjelljet e njerëzve brenda avionit.