Mijëra udhëtarë janë përballur me kaos të plotë në aeroporte në Mbretërinë e Bashkuar, pasi një defekt teknik në qendrën e kontrollit të trafikut ajror të NATS (National Air Traffic Services) detyroi pezullimin e të gjitha fluturimeve në dalje nga vendi.
Defekti, që ndodhi të mërkurën pasdite, u përshkrua si një “problem me radarët”, duke lënë dhjetëra avionë të bllokuar në pistë dhe mijëra pasagjerë të pafuqishëm në aeroportet më të mëdha të vendit, përfshirë Heathrow dhe Gatwick. Ndonëse sistemi u rikthye funksional brenda disa orësh përmes një platforme rezervë, vonesat u përhapën në të gjithë rrjetin ajror britanik, me mbi 150 fluturime të anuluara dhe mijëra të tjerë që u shtynë deri në pesë orë.
Autoritetet nuk përjashtuan mundësinë që pas incidentit të fshihej ndonjë sulm i huaj ose sulm kibernetik, edhe pse nuk është konfirmuar asgjë zyrtarisht.
Pasagjerët e dëshpëruar treguan për përvojat e tyre të tmerrshme, duke fjetur në aeroporte ose duke shpenzuar qindra paund për hotele, ndërsa linjat ajrore si easyJet dhe British Airways akuzohen se i “braktisën” plotësisht pa ndihmë. Një familje britanike mbeti në Dubrovnik pasi fluturimi i tyre drejt Gatwick u anulua në minutën e fundit, ndërsa një tjetër grup nga Stourbridge humbi udhëtimin për në Norvegji për dasmën e vëllait.
“Jemi lënë në mëshirë të fatit. Nuk pati as ndihmë, as fluturim zëvendësues, as hotel – vetëm një sugjerim për të përdorur aplikacionin e easyJet, që nuk funksionoi fare,” u shpreh një pasagjer i indinjuar.
Sipas analizës së firmës Cirium, deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ishin anuluar 84 fluturime në nisje dhe 71 në mbërritje në të gjithë Britaninë. Konsumatorët kanë të drejtë për rimbursim të shpenzimeve për ushqim dhe akomodim, por jo për kompensim financiar, pasi incidenti klasifikohet si “rrethanë e jashtëzakonshme” jashtë kontrollit të linjave ajrore.
Ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, njoftoi se ndërprerjet pritet të vijojnë edhe për disa orë pas rikuperimit të sistemit dhe u bëri thirrje qytetarëve të kontrollojnë informacionet pranë aeroporteve. Ndërkohë, NATS dhe Departamenti për Transportin po hetojnë shkaqet e defektit dhe qëndrueshmërinë e sistemeve rezervë për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Linja ajrore easyJet ende nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi ngjarjen.

