Vullnet Muça, vëllai i ‘Rrumit’, i cili njihet si i forti i Shijakut, ka kërcënuar drejtorin e Spitalit të Durrësit, Renis Mullaj. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë teksa Vullnet Muça (vëllai i Rrumit), ka shkuar në zyrën e drejtorit të spitalit rajonal, Renis Mullaj, dhe i ka kërkuar që të punësojë një person.
Ky i fundit ka refuzuar dhe ka telefonuar policinë. Pas telefonatës policia ka shoqëruar Muçën dhe e ka akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.
Aleksandër Lahon (Rrumi i Shijakut) është i dënuar me 10 muaj burg nga GJKKO për akuzën e korrupsionit. Ai u akuzua nga SPAK se i kishte dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Gjithashtu Aleksandër Laho është shpallur në kërkim për pengmarrjen e dy vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se e kanë vëzhguar për ti bërë atentat si dhe për dosjen e abuzimit me pronat në Gjirin e Lalzit.
Rrumi është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit.






