Aulon Kalaja ankohet në KQZ: Arjan Ndoji më vodhi votat! Ilir Alimehmeti flet për vjedhje votash në Tiranë
Në vend që të akuzojë Partinë Socialiste dhe bandat përreth saj për vjedhjen e votës, duket se Partia Demokratike po humbet rrugën, duke kërkuar fajtorin e vërtetë jo tek shumica në pushtet, por brenda vetes.
Në fakt, ka shpërthyer një përplasje e madhe mes vetë kandidatëve të opozitës, të cilët kanë nisur të akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje votash. Kandidati i PD-së në Durrës, Aulon Kalaja, ka akuzuar kolegun e tij në parti, Arjan Ndoji – ish-prokurori famëkeq, i njohur si miku i “Rrumit të Shijakut” – se i ka vjedhur votat, çka, sipas Kalasë, i ka kushtuar humbjen e mandatit në këtë qytet.
Ndërkohë, edhe Ilir Alimehmeti, i cili humbi mundësinë për të marrë një mandat si kandidati më i votuar nga lista e hapur e PD-së në Tiranë, pasi Jorida Tabaku mori më shumë vota se ai, ka shprehur pakënaqësi për procesin. Edhe pse nuk ka drejtuar gishtin ndaj ndonjë personi konkret, ai ka lënë të kuptohet se votat janë manipuluar – një kritikë e nënkuptuar ndaj kolegëve të partisë.