SARANDË – Ergys Isufi, kandidat për deputet nga lista e “Nisma Shqipëria Bëhet”, është liruar nga Policia e Sarandës mbrëmjen e së martës, vetëm një ditë pasi u ndalua me një dozë kokaine në mjetin e tij. Arrestimi i Isufit ndodhi teksa ai udhëtonte drejt Borshit së bashku me një të mitur, për të marrë pjesë në një miting elektoral, përpara nisjes drejt Tiranës ku pritej të merrte pjesë në takimin përmbyllës të fushatës.
Sipas burimeve për Report TV, Isufi u lirua rreth orës 22:00 të 7 majit, ndërkohë që Policia e Sarandës nuk ka publikuar ende një deklaratë zyrtare dhe nuk dihet nëse ndaj tij është ngritur ndonjë akuzë.
Burime pranë hetimit dyshojnë se lënda narkotike ishte për përdorim vetjak. Gjatë kontrollit, kandidati thuhet se tentoi të largohej, por u ndalua dhe neutralizua nga forcat e rendit.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën e veprimeve policore dhe integritetin e kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, veçanërisht në mungesë të çdo deklarate zyrtare për ndalimin dhe lirimin e tij.