Administrata Tatimore ka vendosur të ashpërsojë kontrollin mbi pagat e deklaruara në sektorin e shërbimeve, me fokus të veçantë tek restorantet, baret dhe hotelet. Në një listë të re me paga referencë të detyrueshme, është përcaktuar qartë se asnjë kamarier nuk mund të paguhet më pak se 70,000 lekë në muaj.
Kjo masë vjen si pjesë e përpjekjeve për të luftuar evazionin fiskal dhe pagat fiktive në një sektor të ndjeshëm për ekonominë informale. Paga minimale për pozicione të tjera, si pastrues plazhi apo roje parkimi, është caktuar në 55,000 lekë, ndërsa kryekuzhinierët, shefat e pastiçerive dhe drejtuesit e zinxhirit të shërbimit nuk mund të deklarohen me më pak se 130,000–140,000 lekë.
Tatimet paralajmërojnë bizneset: kush deklaron paga më të ulëta se niveli referencë do të konsiderohet “me risk të lartë” dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve të thelluara fiskale.
Profesionet e mbuluara nga ky vendim përfshijnë një gamë të gjerë rolesh si arkëtarë, banakierë, pastiçierë, ndihmës kuzhinierë, mirëmbajtës, roje plazhi, e të tjerë. Sipas autoriteteve, shumë biznese kanë abuzuar historikisht me pagat reale, duke i fshehur pjesërisht përmes “bakshisheve” apo pagesave informale.