Pas shtatë muajsh zvarritje, Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes së aferës “Partizani”, duke shënuar nisjen e përballjes së parë të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, me drejtësinë.Dosja kaloi për gjykim vetëm pas zgjedhjeve të 11 majit, pas 7 muajsh zvarritje.
TIRANË– Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes së aferës “Partizani”, duke shënuar nisjen e përballjes së parë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, me drejtësinë. Në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë ‘Homeplan’, Andia Pustina. Pas 7 muajsh zvarritje të seancës paraprake, vendimi u mor sot nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, e cila i hapi rrugë gjykimit të tyre për aferën korruptive, ku u ndërtuan 19 kulla në truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”, me përfitues direkt dhëndrin e ish-kryeministrit.
Vendimi për dërgimin e kryetarit të PD Sali Berisha në gjyq, u mbajt peng prej 7 muajsh, me manovra të ndryshme zvarritjeje dhe verdikti për ta ulur atë në bankën e të akuzuarve erdhi vetëm 1 javë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Berisha pësoi një humbje të thellë.
Seanca nisi në orën 11:30 dhe zgjati deri në 13:30, ku avokatët e të pandehurve bënë një përpjekje të fundit për ta shtyrë sërish seancën, duke kërkuar pavlefshmëri të vendimeve të gjyqtares së hetimit paraprak Irena Gjoka, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Davidhi, së cilës iu desh 1 orë në Dhomën e Këshillimit për të marrë vendimin e kalimit të dosjes për gjykim.







