Kafeja, një ndër zakonet më të dashura për shqiptarët, po shndërrohet në një produkt luksi për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve. Në prill, inflacioni për kafenë dhe kakaon arriti në 4.7%, niveli më i lartë që prej shkurtit 2022. Në Tiranë, çmimi i një filxhani ka kaluar në 120 lekë dhe deri në 150 lekë në zona të frekuentuara, ndërsa në periferi ai sillet nga 80 në 100 lekë. Rritja lidhet me rënien e prodhimit në Brazil, vështirësitë në transportin global dhe rritjen e kërkesës nga turistët.
Kostot e importit të kafesë u rritën me 19% brenda një viti, ndërkohë që baret përpiqen të ruajnë çmimet për shkak të konkurrencës së fortë. Megjithatë, rritja e shpenzimeve të përgjithshme po i detyron bizneset të rrisin çmimet për të ruajtur qëndrueshmërinë. Pavarësisht gjithçkaje, konsumimi i kafesë në bare mbetet pjesë e identitetit shqiptar, dhe Shqipëria vazhdon të jetë ndër vendet me më shumë bare për banor në Europë. Stabilizimi i çmimeve mund të vijë vitin tjetër, por moti ekstrem vazhdon të jetë kërcënim serioz për tregun./Monitor