FLASH :

Kadastra fut në sherr qytetarin me Ramën: Kam dhënë lekë për pronat — Gënjen! i përgjigjet kryeministri

Premtimet për zhvillim dhe modernizim në zonën e Ish-Uzinës së Autotraktorëve u shoqëruan me tension dhe akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore. Gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama në kantierin ku pritet të rilindë një qendër e re e industrisë ushtarake, një qytetar i pranishëm akuzoi zyrtarë të IKMT-së dhe Kadastrës për korrupsion të hapur.

Në fund të videos së publikuar, qytetari ngriti zërin, duke denoncuar se i ishte kërkuar dhe kishte dhënë para për të përfituar legalizimin e pronës së tij – një praktikë që sipas tij, vazhdon ende në institucionet shtetërore. Në vend që ta dëgjonte me vëmendje, Kryeministri Rama reagoi duke e akuzuar qytetarin se “gënjen”, pa kërkuar hetim të mëtejshëm për denoncimin publik.

Projekti i ri në Ish-Uzinën e Autotraktorëve synon të krijojë një qendër të re për prodhimin e uniformave ushtarake dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe ambulancave. Megjithatë, zëri i qytetarëve që denoncojnë korrupsionin duket se rrezikon të mbetet në hije përballë propagandës së zhvillimit industrial.

Rasti i sotëm tregon qartë se përkundër investimeve të reja, problemet e vjetra të korrupsionit dhe mungesës së besimit ndaj institucioneve janë ende të pranishme. Heshtja ndaj një denoncimi publik, dhe mbyllja e çështjes me një akuzë të shpejtë “gënjeshtare” ndaj qytetarit, ngre pikëpyetje serioze për vullnetin e vërtetë për të luftuar korrupsionin në nivelet e ulëta dhe të mesme të administratës.

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë transparencë dhe drejtësi, trajtimi i denoncimeve me arrogancë dhe mosvëmendje është një shuplakë e hapur ndaj besimit publik.