Një rrjet i ndërlikuar kabllosh nënujore që kalon nëpër brigjet britanike – kritik për komunikimin, tregtinë dhe sigurinë kombëtare – po rrezikohet nga sabotazhet e mundshme nga Kina dhe Rusia. Sipas një raporti të ri, Mbretëria e Bashkuar është “jashtëzakonisht e papërgatitur” për t’u përballur me kërcënime të koordinuara ndaj infrastrukturës së saj detare.
Instituti për Rreziqet Strategjike të Kinës (CSRI) analizoi 12 raste të dyshuara sabotimi të kabllove nënujore të ndodhura midis janarit 2021 dhe prillit 2025 në Europë dhe Tajvan. Nga 10 rastet ku u identifikuan anije të dyshimta, tetë prej tyre ishin nën flamurin ose pronësinë e Kinës apo Rusisë.
Autori i raportit, Andrew Yeh, thekson se prania e anijeve kineze në prishjet e kabllove në Europë dhe e atyre ruse pranë Tajvanit tregon një koordinim të mundshëm të qëllimshëm. Ai paralajmëron se Britania është një shënjestër e mundshme për operacionet hibride ruso-kineze të ashtuquajtura “zona gri”, ku kufiri mes paqes dhe konfliktit është i paqartë.
Harta e publikuar nga MailOnline zbulon një rrjet të dendur kabllosh që përshkon ujërat britanike, të cilat transmetojnë 99% të të dhënave ndërkontinentale – që nga bankingu online e deri te mesazhet qeveritare.
Sabotimi i këtyre kabllove shpesh bëhet në mënyrë të paidentifikueshme, përmes hedhjes së spirancave ose rrjetave të peshkimit mbi to, por raporti paralajmëron edhe për taktika më agresive, si përdorimi i zhytësve apo robotëve nënujore për vendosjen e eksplozivëve me sahat.
Britania shërben si pikë zbarkimi për të paktën 60 sisteme kabllosh nënujore, përfshirë nëntë nga 15 linjat që lidhin Europën me Amerikën e Veriut – duke e kthyer në një qendër kritike për infrastrukturën digjitale transatlantike.


Në raport, Yeh shkruan:
“Kabllot nënujore janë themeli i sigurisë ekonomike dhe mirëqenies globale në epokën digjitale. Ato janë jetike si për përdorim civil ashtu edhe për sistemet e mbrojtjes, përfshirë teknologjitë e së ardhmes që përdorin inteligjencën artificiale.”
Ai i bën thirrje Britanisë që të jetë “realiste dhe proaktive”, duke forcuar mbikëqyrjen mbi këto kabllo, duke publikuar një listë të zezë të anijeve të dyshimta dhe duke krijuar rezerva të pjesëve për ndërhyrje të shpejta në rast sulmesh.
Kjo çështje është përmendur edhe në Strategjinë më të fundit të Mbrojtjes, ku theksohet:
“Tubacionet dhe kabllot nënujore janë jetike për jetën e përditshme të kombit. Zona detare po bëhet gjithnjë e më e cenueshme. Marina Mbretërore duhet të jetë e përgatitur për të penguar incidente të ngjashme me sabotimin e gazsjellësit Nord Stream 2 dhe prerjen e kabllove në ujërat britanike dhe ndërkombëtare.”
Që nga tetori 2023, të paktën 11 kabllo në Detin Baltik janë dëmtuar në rrethana të dyshimta. Në një rast të paprecedentë, autoritetet finlandeze ndaluan anijen “Eagle S”, që pavarësisht se është e regjistruar në Ishujt Cook, dyshohet të jetë pjesë e “flotës së errët” ruse, që përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
E njëjta anije akuzohet se shkaktoi dëme në kabllon energjetike Estlink-2, që lidh Finlandën me Estoninë, gjatë ditës së Krishtlindjes.
Ndërkohë, në Detin e Veriut janë regjistruar raste të tjera të dëmtimeve, ndërsa anije spiune ruse, si “Yantar”, janë vërejtur duke qëndruar pezull mbi kabllot e komunikimit në Kanalin Anglez.
Në një dëgjesë parlamentare muajin e kaluar, deputetët britanikë u paralajmëruan se vendi “ka harruar sa të rëndësishme janë kabllot nënujore për shoqërinë moderne”. U ngritën kritika ndaj elitës politike dhe ushtarake që, sipas ekspertëve, janë fokusuar te “luftërat e largëta”, duke neglizhuar kërcënimet pranë brigjeve britanike.

Në këtë kuadër, ekspertët britanikë të mbrojtjes kanë zbuluar një robot të ri nënujore, i cili është dizajnuar për të mbrojtur kabllot nga sabotimet. Pajisja, e bazuar në një mjet të zakonshëm ROV (Remotely Operated Vehicle), është testuar tashmë në Portsmouth, Dorset, Uellsin Jugor dhe Norvegji.

Roboti është i aftë të identifikojë eksplozivë të pashpërthyer dhe të vendosë në mënyrë të sigurtë ngarkesa shpërthyese për t’i neutralizuar. Projekti, i financuar nga Marina Mbretërore dhe zhvilluar nga Laboratori i Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes (DSTL), synon të shmangë rrezikun për zhytësit dhe të garantojë mbrojtjen e linjave jetike nënujore të komunikimit dhe energjisë.







