Një 17-vjeçar i dënuar për vjedhje tregon për jetën e tij, që nga mosha 10-vjeçare.
I dënuar aktualisht me dy vjet burgim për disa raste të vjedhjeve, i mituri rrëfen se ka kryer mbi 100 vepra penale, duke përfshirë grabitje, vjedhje, përdorim dhe shpërndarje droge, lëndime trupore dhe madje tentim vrasje.
Në RTVDukagjini, ai pohon se përdorimi i kokainës dhe marihuanës ka nisur që në moshën 10-vjeçare, nën ndikimin e një rrethi të keq shoqëror. “Unë jam 17 vjeçar, jam këtu qe 8 muaj ditë. Jam për vjedhje, i kam dënim edhe 1 vit e 4 muaj me i mbajtë. Jam për vepra të ndryshme normalisht për vjedhje që i kam bërë. Por jam i dënuar vetëm për vjedhje, por kam edhe vepra të tjera.
Herën e parë jam kanë në vepër penale me një shok. Kam pasur grabitje, lëndime të lehta trupore, therje. Kam pasur shumë i kam pasur nja 100, i kam mbyllur krejt normal. Lëndime të rënda trupore, vrasje në tentativë etj.
Po kam përdor marihuanë edhe kokainë. Diku 7-8 vjet. Mundem me thënë nga mosha 10 vjeçare”, ka thënë 17-vjeçari. Njohuritë e fituara si ndihmës mekanik me babain e tij, i ktheu në aftësi për të vjedhur makina të modeleve të ndryshme, duke përfshirë një BMV M4 me vlerë mbi 30 mijë euro. Ai tregon se i ka dokumentuar të gjitha veturat që i ka vjedhur, një lloj “koleksioni personal”, sipas tij. Vetëm për rreth 10 prej tyre është ndëshkuar.
“Kam parë qysh i ndizte makinat me tela e gjëra të tjera. Tani i mbaja në mend kur dilja me vjedh, ua hiqja kapakun poshtë mjeteve. Kam vjedhur shumë automjete, nja 40 e diçka. I kam në telefon çdo markë të makinave. Çdo markë të makinave që e kam vjedh, i kam shkruar vetëm për qejf. Sa u kanë vlera e tyre përafërsisht, një mjet që kam munduar ta vjedh më i shtrenjti ka qenë një BMV M4… E kam pasur një shok të Babit, edhe kur shkoja me vjedh makina, i thosha mos i kallxo kërrkujt, ai i prishte mjetet, normal për pjesë. Ai kaq sa kushtonte makina, ai aq i merrte se i duheshin pjesët për makina të tjera, se ka pasur mjete shumë. Ama ai e dinte që është mjeti i vjedhur…”.
Ai thotë se është penduar për jetën e tij dhe shpreson që pas daljes nga burgu, t’i kthehet jetës normale.