Lirim Kastrati është sulmuesi i ri i Vllaznisë për të paktën një sezon, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër.
Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit të Kosovës, Lirim Kastrati, i cili do të veshë fanellën kuqeblu në sezonin e ri. Klubi shkodran ka njoftuar se ka firmosur një kontratë një vjeçare me 26-vjeçarin, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon.
Kastrati është një emër i njohur për futbollin shqiptar dhe atë rajonal, duke qenë pjesë e klubeve prestigjioze si: Dinamo Zagreb, Lokomotiva Zagreb, Legia Varshavë, Fehervar dhe Videoton, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka zhvilluar 17 ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga dita e sotme, Lirim Kastrati është zyrtarisht futbollist kuqeblu. Sulmuesi 26-vjeçar, pas eksperiencave me klube të njohura europiane, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës tonë. Kastrati ka firmosur kontratë një vjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe për një vit tjetë”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Me këtë afrimin Vllaznia synon të forcojë ndjeshëm fazën sulmuese, në një sezon ku objektivat janë të qarta, rikthimi te trofeu i kampionit. Me Balajn dhe Kastratin, duket se Vllaznia ka sulmin më të frikshëm në Superligë.