Justin Bieber është rikthyer fuqishëm në skenën muzikore me albumin e tij të shtatë, Swag, i publikuar këtë të premte, mes zhurmës së spekulimeve për martesën me Hailey Bieber dhe trazirave me miqtë e ngushtë. Albumi me 21 këngë nuk shmang temat personale: nga rrëfimet për shpërthimet në rrjetet sociale, deri tek përplasja me paparacët që u bë virale në Ditën e Babait.
Në interludën “Therapy Sessions”, Bieber dhe komediani Druski diskutojnë mbi etiketimin si “i çmendur” nga publiku, ndërsa këngët “Standing on Business” dhe “Walking Away” i kushtohen tensioneve në martesë dhe përpjekjeve për të mos u larguar nga partnerja. “Nuk po iki,” këndon ai me ndjeshmëri. Albumi përfshin gjithashtu mesazhe dashurie për Hailey-n dhe referenca të hapura për ndihmën që ka gjetur në besim gjatë momenteve të vështira.
Swag shënon një kapitull të ri më të hapur dhe të brishtë për artistin 31-vjeçar, i cili përmes muzikës rrëfen plagët, por edhe përkushtimin ndaj familjes dhe përballjen me famën.