Aktorit dhe regjisorit Justin Baldoni i janë shtuar akuza të reja përpara gjyqit të bujshëm me Blake Lively, i planifikuar për mars 2026 në New York. Sipas dokumenteve të siguruara nga TMZ, një ish-bashkëpunëtor anonim ka pretenduar se ka përjetuar “ndërveprime të përsëritura negative” me Baldonin dhe ekipin e tij, duke përfshirë edhe “abuzim verbal nga vetë Baldoni”.
Sipas të njëjtit burim, aktori 41-vjeçar është përjashtuar nga seti i xhirimeve për shkak të sjelljes së tij, dhe është kërkuar që ai të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet promovues për filmin. Ky person pritet të dëshmojë edhe në procesin gjyqësor.
Kujtojmë se në dhjetor 2024, Blake Lively ngriti një padi kundër Baldonit, duke e akuzuar atë për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”. Në kundërpërgjigje, në janar 2025, Baldoni ngriti një padi për shpifje dhe zhvatje kundër Lively dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, duke kërkuar 400 milionë dollarë — një padi që më vonë u rrëzua nga gjykata.
Në dokumentet e gjyqit, u përfshinë edhe mesazhe të Lively që i referohen miqësisë së saj me Taylor Swift, të cilat Baldoni i interpretoi si përpjekje për të ushtruar presion.
Avokatët e Lively tani kërkojnë që Baldoni të paguajë shpenzimet e saj ligjore, duke u mbështetur në ligjet e Kalifornisë që mbrojnë viktimat që denoncojnë ngacmimin seksual.