Ekspertët forensikë kanë zbuluar se gati tre minuta video mungojnë nga pamjet e prezantuara nga FBI si “materiali i papërpunuar” i vetëvrasjes së Jeffrey Epstein në burg, të cilat u publikuan javën e kaluar për të shuar teoritë konspirative.

Pamjet e kamerave të sigurisë u shpërndanë nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ) për të mbështetur pretendimin se financieri i diskredituar dhe abuzuesi seksual i dënuar, Epstein, kreu vetëvrasje në qelinë e tij në Nju Jork në gusht 2019.
Por një analizë e revistës WIRED zbuloi se skedari nuk ishte aspak “raw”, por i montuar përmes programit Adobe Premiere Pro duke bashkuar dy klipe. Një nga to ishte 4 orë e 19 minuta i gjatë, por kishte të shkurtuara thuajse 2 minuta e 53 sekonda – ndërprerja ndodh pikërisht në orën 23:58:58, pak çaste para një hendeku njëminutësh në pamje. Klipi tjetër rifillon në mesnatë.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, e justifikoi këtë hendek me një “reset të përnatshëm të sistemit”. Megjithatë, metadata tregon që skedari është modifikuar disa herë më 23 maj 2025, duke hedhur poshtë pretendimin se bëhej fjalë për video të paprekur.
WIRED kërkoi sqarime nga DOJ, por zëdhënësi i referoi pyetjet tek FBI-ja, e cila refuzoi të komentojë.
Administrata e Trump publikoi videon për të shuar teoritë se Epstein ishte vrarë, por mungesa e minutave vetëm sa i ka ndezur sërish këto dyshime. Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në burgun Metropolitan Correctional Center, dhe autoritetet e konsideruan si vetëvrasje. Por që prej atëherë, shumë kanë pyetur si ka qenë e mundur që një person aq i survejuar të vetëvritej pa u ndaluar.

Ekspertët që shqyrtuan videot konfirmuan se pamjet ishin montuar nga të paktën dy burime të ndryshme dhe më pas u ruajtën e eksportuan disa herë para se të ngarkoheshin në faqen zyrtare të DOJ. Edhe pse nuk dihet saktësisht nëse ndryshimet ishin me qëllim mashtrues, mungesa e transparencës ka shtuar dyshimet.
Pamjet e publikuara të hënën shfaqin një kërcim të papritur në timestamp në mesnatë më 10 gusht – fenomen që FBI e përsëriti edhe në versionin e përmirësuar të videos. Bondi tha se kjo ndodh çdo natë gjatë “reset-it rutinë”, por premtoi se DOJ do të publikojë video të tjera për të vërtetuar pretendimin.
Dyshimet u përkeqësuan nga mohimi i ekzistencës së “listës së klientëve” të Epstein, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, Bondi kishte deklaruar në Fox News se lista ndodhej “në tavolinën e saj për shqyrtim”.

Po atë muaj, Shtëpia e Bardhë publikoi dokumente mbi Epstein që nuk përmbanin asnjë informacion të ri. Bondi më pas pretendoi se ishte “keqinformuar” për përmbajtjen e tyre.
Profesori i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, Hany Farid, ekspert i forensikës digjitale, tha për WIRED se kjo video nuk do të konsiderohej provë e vlefshme në një gjykatë.
Ndërkohë, Trump – i cili dikur kishte lidhje shoqërore me Epstein – reagoi me përçmim ndaj interesimit të vazhdueshëm mediatik për çështjen: “A jeni ende duke folur për Jeffrey Epstein?”, i tha ai një gazetari që i bëri një pyetje Bondit. “Ky njeri është diskutuar për vite të tëra… dhe ende flitet për këtë tip?”
Shtëpia e Bardhë ka thënë se pamjet dhe memorandumi janë autentikë. As FBI, DOJ apo Byroja e Burgjeve nuk kanë dhënë sqarime për modifikimet e dokumentuara në video.