Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e bujqësisë dhe prodhimit vendas në Shqipëri, duke e cilësuar si një krizë që po shkatërron ekonominë e familjes shqiptare.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Tabaku u ndal te fakti që një gotë qumështi e freskët është kthyer në luks për shumicën e familjeve. Sipas saj, produktet “Made in Albania” po zhduken, për shkak të mungesës së mbështetjes dhe përparësisë që qeveria i jep importeve.
“Brenda 10 viteve të fundit ka rënë me 37% numri i gjedhëve që prodhojnë qumësht në Shqipëri. Ekonomia shqiptare nuk prodhon më për fshatin, as prodhon Shqip, as jeton Shqip, as punon Shqip,” theksoi Tabaku.
Ajo shpjegoi se kjo situatë vjen si pasojë e taksave të larta në bujqësi, strukturës penalizuese tatimore dhe zhvlerësimit të euros, që e kanë lënë prodhuesin vendas pa mbështetje.
Tabaku tha se ndryshimi është i domosdoshëm dhe angazhohet që ta çojë përpara këtë betejë. “Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për shqiptarët. Duhet të mbështesim produktet vendase dhe të rikthejmë besimin tek fuqia e fshatit dhe bujqësisë sonë,” përfundoi ajo.
Teksti
Mirëmëngjes dhe ditë të mbarë!
Kjo gotë qumështi që çdo prind përpiqet t’ia japë fëmijëve me produkte sa më të freskëta dhe vendase, është bërë luks kohët e fundit.
Produktet “Made in Albania”, produktet shqiptare, janë duke vdekur.
Në 10 vitet e fundit, 37% ka rënë numri i gjedhëve që prodhojnë qumësht në Shqipëri. Kjo ndodh sepse ekonomia shqiptare nuk mbështet produktin vendas – po mbështet produktet që vijnë nga jashtë, importin.
Ekonomia shqiptare nuk prodhon më për fshatin. As prodhon Shqip, as jeton Shqip, as punon Shqip. Dhe kjo duhet të ndryshojë.
Kjo situatë ka ardhur si rezultat i taksave të larta në bujqësi, i strukturës penalizuese të taksave që nuk e mbështet produktin vendas. Gjithashtu, si rezultat i zhvlerësimit të euros, por nga ana tjetër edhe si pasojë e një ekonomie që nuk fokusohet tek ajo që ne kemi, që na ka falur natyra – tek produktet shqiptare.
Këto duhet të ndryshojnë. Këtë do luftojmë që të ndryshojmë.
Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për shqiptarët. Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë Shqip. Duhet të mbështesë produktet vendase.







