FLASH :

Jorida Tabaku: Për herë të parë në 35 vite, mbyllet Parlamenti pa debat për programin e qeverisë!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të sotme në Kuvend, duke thënë se socialistët “bënë të pamenduarën” duke mbyllur Parlamentin pa zhvilluar një debat parlamentar për programin e qeverisë. Sipas saj, kjo është hera e parë në 35 vite demokraci që një program qeveritar nuk diskutohet në sallën plenare.

“E vërteta është e thjeshtë: ata nuk kishin program, por vetëm një riciklim të premtimeve të vjetra. Premtuan integrim 12 dhe 14 vite më parë – ku jemi sot? Premtuan ekonomi më të fortë, më pak taksa, shëndetësi falas, arsim dhe bujqësi më të zhvilluar. Sot jemi në situatën më të vështirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë,” u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi se integrimi europian është reduktuar nga qeveria thjesht në pjesëmarrje në samite dhe deklarata publike, ndërkohë që vendi ka nevojë për reforma të thella, gjithëpërfshirje të bizneseve dhe përgatitje reale për kostot dhe përfitimet e procesit. Sipas Tabakut, mungesa e vizionit dhe mbështetja vetëm në propagandë e kanë kthyer integrimin në një slogan bosh, pa përmbajtje konkrete.