FLASH :

Jorida Tabaku falënderon qytetarët: Ndihem e vlerësuar dhe e privilegjuar, më 11 maj votoni për ndryshimin!

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ndarë një mesazh mirënjohjeje dhe reflektimi për rrugëtimin e saj gjatë fushatës elektorale. Me anë të një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, inkurajimin dhe energjinë që i kanë dhënë gjatë këtyre dy muajve intensive takimesh dhe dëgjimesh.

“Nisa këtë rrugëtim me bindjen se do të kërkonte shumë përpjekje dhe se mund të ishte një betejë e vetmuar. Por sa e gabuar që isha,” shprehet ajo në video. “Çdo hap, çdo takim, çdo fjalë e qytetarëve më ka mbushur me besim dhe forcë për të vijuar më tej.”
Ajo thekson se nuk ka qenë thjesht një fushatë elektorale, por një mision për të dëgjuar qytetarët dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme ndryshe. Tabaku u shpreh veçanërisht mirënjohëse ndaj demokratëve dhe të gjithë mbështetësve që, sipas saj, kanë qenë forca e vërtetë pas çdo hapi të saj.


“Ndihem e vlerësuar, ndihem e privilegjuar. Faleminderit nga zemra! Ju jam mirënjohëse, veçanërisht juve demokratëve,” u shpreh ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Jorida Tabaku bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se është momenti për të zgjedhur të ardhmen dhe ndryshimin.

“Në këtë betejë mes të djeshmes dhe të ardhmes, unë jam e sigurt se secili prej jush do të zgjedhë të ardhmen. Më 11 maj, votoni Partinë Demokratike. Votoni Jorida Tabakun,” përfundon ajo.


Me një fushatë të mbushur me takime dhe angazhim qytetar, Jorida Tabaku ka treguar se është një zë që jo vetëm dëgjon, por edhe vepron. Në prag të 11 majit, ajo apelon për një vendim që nuk është thjesht politik, por qytetar: një votë për shpresën, për ndryshimin dhe për të ardhmen.