FLASH :

Jorida Tabaku dhe Peter Beyer: Integrimi kalon më parë nga proceset demokratike

Në një moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit, ku vendi ka nisur tashmë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka hapur disa nga grupkapitujt më të rëndësishëm, një editorial i përbashkët i publikuar në gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Rundschau nga deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, dhe Peter Beyer, drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun Gjerman nga CDU, sjell një analizë të thelluar mbi sfidat dhe mundësitë që ka rajoni përpara.

Në thelb të mesazhit të tyre qëndron ideja se integrimi evropian nuk duhet të mbetet në nivel retorike, por të përkthehet në veprime konkrete, reforma reale dhe përmirësim të jetës së përditshme të qytetarëve. Të dy autorët theksojnë se ky është një moment që kërkon guxim politik, përfshirje të të gjithë aktorëve, dhe më së shumti, zbatim të reformave që konsolidojnë shtetin e së drejtës dhe institucione demokratike funksionale.

Zgjedhjet dhe demokracia: test për besueshmërinë

Një ndër pikat më të rëndësishme të theksuara në editorial është domosdoshmëria e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të besueshme. Sipas tyre, pa procese zgjedhore të standardizuara dhe transparente, nuk mund të ketë përparim real drejt integrimit evropian. Zgjedhjet janë themeli mbi të cilin ngrihet demokracia funksionale, ndaj çdo devijim nga ky standard përbën një rrezik për legjitimitetin e gjithë procesit të anëtarësimit në BE.

Ata theksojnë se përveç miratimit të ligjeve dhe krijimit të strukturave, duhet vlerësuar realisht se si funksionojnë këto institucione në praktikë, sa zbatohet ligji, dhe sa ndihen rezultatet e reformave në jetën e përditshme të qytetarëve.

Roli i Gjermanisë dhe CDU në procesin e integrimit

Editoriali nënvizon rolin historik dhe të vazhdueshëm të Gjermanisë në procesin e zgjerimit të BE-së, veçanërisht përmes lidershipit konservator të CDU/CSU. Kujtohet me rëndësi Procesi i Berlinit, një nismë e nisur nga një kancelar i djathtë, që ndihmoi në rimëkëmbjen e integrimit rajonal në kohë krize. Sot, me Friedrich Merz në krye të qeverisë gjermane, dhe një grup të ri parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, ekziston një potencial real për një përfshirje më të thelluar dhe strategjike të Berlinit në rajon.

Beyer dhe Tabaku bëjnë thirrje për rritjen e investimeve gjermane dhe evropiane në rajon, me fokus në teknologji, energji të rinovueshme dhe transformim digjital, duke e parë Ballkanin jo si një barrë, por si një urë lidhëse midis Evropës dhe Lindjes së Mesme.

Pluralizmi, sundimi i ligjit dhe institucione të forta

Në këtë analizë shpaloset qartë ideja se demokracia nuk është e plotë pa një opozitë të fortë, media të pavarura dhe institucione të besueshme. Autorët kujtojnë se miratimi formal i ligjeve nuk është i mjaftueshëm – reforma duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme. Një opozitë funksionale dhe një sistem i vërtetë pluralist janë jo vetëm garanci për qeverisje më të mirë, por edhe elementë të panegociueshëm për anëtarësim në BE.

Këtu theksohet roli i veçantë që duhet të luajë Kuvendi si institucioni përfaqësues i qytetarëve. Tabaku ka qenë e angazhuar vazhdimisht për të forcuar këtë rol, ndërsa propozohet një rritje e bashkëpunimit ndërparlamentar, si një mjet për të ndërtuar besim dhe për të shkëmbyer përvoja mes parlamenteve të BE-së dhe atyre të Ballkanit.

Nga potenciali në realitet: sfida për BE-në

Në pjesën përmbyllëse të editorialit, autorët paralajmërojnë se nëse Bashkimi Evropian nuk arrin të ofrojë një rrugë të qartë dhe të besueshme për Ballkanin Perëndimor, atëherë boshllëku që krijohet do të mbushet nga aktorë të tjerë që nuk ndajnë të njëjtat vlera demokratike. Rreziku është rritja e ndikimit të Rusisë, Kinës apo Turqisë, që shpesh përdorin mjete si dezinformimi, destabilizimi politik dhe ndihma ekonomike me kushte të errëta për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.

Prandaj, është koha për veprime konkrete. Më shumë se 82% e qytetarëve të rajonit mbështesin bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. BE-ja duhet të përqafojë këtë momentum duke mbështetur reformat demokratike, forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik. Vetëm kështu Ballkani Perëndimor mund të bëhet pjesë e pandashme e Evropës së bashkuar.