FLASH :

JoJo Siwa rrëfen gjithçka: Presioni për të quajtur veten lesbike, e vërteta me Chris Hughes dhe kthimi i saj pas Celebrity Big Brother

Në intervistën e saj të parë që pas daljes nga Celebrity Big Brother, ylli amerikan JoJo Siwa flet pa filtra për presionet e famës, marrëdhëniet personale dhe transformimin e saj të bujshëm nga fëmijë superyll në një artiste që ende po zbulon veten. “Unë nuk jam çmendur, jam thjesht 22 vjeç – dhe po e kuptoj jetën time për herë të parë,” thotë ajo me një buzëqeshje të sinqertë.

Ish-ylli i Dance Moms dhe ikonë e Nickelodeon, e cila u bë e njohur në mbarë botën për pamjen e saj me fjongo të mëdha, turnetë e tejmbushur dhe një linjë shumëmilionëshe produktesh, e pranon se momenti i saj i daljes publike si “lesbike” në moshën 17-vjeçare nuk ishte krejtësisht i lirë. “Më shtynë të quaja veten lesbike. Nuk isha gati për një etiketë kaq të ngurtë – por ndjeva presion, madje edhe nga brenda komunitetit LGBTQ+.” Sot, ajo identifikohet si queer, duke theksuar se seksualiteti është një gjë fluide dhe personale.

Gjatë kohës së saj në Celebrity Big Brother, JoJo u bë temë e diskutimeve për marrëdhënien e saj me ish-yllin e Love Island, Chris Hughes. Dyshja, ndonëse me prejardhje shumë të ndryshme dhe me dhjetë vite diferencë, ndërtuan një lidhje që nisi si miqësi në shtëpinë e famshme dhe që tani është kthyer në një romancë të konfirmuar. “Chris është pjesa ime e preferuar në jetë tani”, thotë ajo. Ata janë parë bashkë në pushime në Meksikë dhe së shpejti, JoJo do të njohë familjen e tij në Cotswolds – përfshirë edhe… kalin e tij.

Por s’ka qenë gjithmonë e lehtë. Nga presioni i Nickelodeon që të “qetësonte” shitësit pas daljes së saj si LGBTQ, te përjashtimi i saj nga eventet madhore të rrjetit, JoJo nuk është ndalur. “Unë nuk u lëndova nga dalja ime – ata u tronditën. Unë? Unë isha mirë.”

JoJo pranon gjithashtu se periudha e “rebelimit” me lëkurë të zezë dhe tekste provokuese ishte e stisur: “E shtira veten për një vit, bëra sikur isha vajzë e keqe. Ishte një nevojë për vëmendje. Dhe tani kur e shoh, më vjen për të qeshur.”

Sot, ajo jeton e vetme në një apartament me qira, pa luksin e tepërt që i jepet yjeve të mëdhenj – por me një sens të ri lirie. Dhe ndërsa publiku vazhdon ta përkujtojë si vajzën me fjongon në kokë, JoJo është në një kapitull tjetër: më autentike, më e fortë dhe më e qartë për atë që është.

Nuk do të ndryshoja asgjë nga e kaluara ime. Asgjë. Zero.