FLASH :

John Bolton: Putin po teston dobësitë e Perëndimit, Trump po gabon

Ish-ambasadori amerikan në OKB dhe ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën Trump, John Bolton, ka lëshuar një paralajmërim të fortë përballë situatës së re të krijuar në Evropë pas sulmeve me dronë rusë që prekën territorin polak.

Në një intervistë për Corriere della Sera, ai u shpreh se “Putin po teston vendosmërinë e NATO-s” dhe se “minimizimi i rrezikut nga ana e Donald Trump është një gabim i rëndë”.

Bolton, 76 vjeç, theksoi se goditja e Polonisë nuk mund të shihet si aksidentale, por si një lëvizje e studiuar nga Kremlini për të kuptuar se si do të reagonte Aleanca.

“Polonia nuk është përgatitur për këtë lloj sulmesh, ndryshe nga Ukraina, e cila tashmë ka fituar eksperiencë. Rusia ka përfituar për të testuar kufijtë tanë ushtarakë, por edhe kohezionin politik të NATO-s”, tha ai.

Duke komentuar qëndrimet e Trump, Bolton u shpreh se reagimi i tij nuk është i denjë për momentin që po kalon Perëndimi.

“Kjo nuk është një përgjigje serioze. Jemi në një moment vendimtar dhe NATO duhet të reagojë fuqishëm, me sanksione më të ashpra dhe me zbatimin e rreptë të atyre që janë tashmë në fuqi”, theksoi ai.

Sipas ish-këshilltarit të Trump, mungesa e vendosmërisë amerikane do ta inkurajojë Putinin të mos negociojë dhe të vazhdojë ofensivën në Ukrainë, pavarësisht humbjeve të mëdha në forcat e tij.

“Putin sheh dobësi në kampin tjetër. Ai e kupton që Trump nuk është i gatshëm ta ndalojë dhe kjo vetëm sa e forcon bindjen e tij për të ecur përpara”, tha Bolton.

Në përfundim, ai theksoi se Evropa, pa mbështetjen e plotë të inteligjencës amerikane, nuk do të mund të përballojë e vetme kërcënimin rus.

“Vetëm SHBAtë kanë kapacitetin për të dhënë informacionet që i nevojiten Kievit. Europianët duhet të qëndrojnë të lidhur me Uashingtonin, pavarësisht dëmeve që Trump i ka shkaktuar tashmë,” përfundoi Bolton.