FLASH :

Jo vetëm për gazetarët, Tabaku: Ne propozuam dekriminalizim të shpifjes edhe për qytetarët, duhet t’i përputhemi standardeve të BE

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku komentoi për mediat ndryshimet e propozuara për Kodin Penal sa i takon dekriminalizimit të shpifjes te gazetarët. Tabaku tha se PD ka propozuar dekriminalizim të shpifjes edhe për qytetarët, duke theksuar se duhet t’i afrohen standardeve tw BE. 

Tabaku tha se nuk arrihet asnjë gjë e dobishme nga propozimi që ka sjellë qeveria sot në Kuvend, pasi asgjë sipas saj nuk do të reflektohet në zbatim.

“Ne propozuam një draft të kodit penal i cili kishte shfuqizim të nenin për fyerjen dhe shpifjen, jo vetëm për gazetarët por dhe për qytetarët. Një masë për të treguar që fjala e lirë nuk kërcënohet me burg, sigurisht që ka masa në kodin civil. Qeveria shqiptare vendoi që neni fyerja të mos ta prekë, ndërsa shpifjen ta prekë dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë kërcënimit me burg, duke seleksionuar ata gazetarë që do t’i kërcënojë me burg dhe ato të tjerë që do t’i lejojë të shpifin e të fyejnë. Sot duhet të marrim vendimin për t’iu bashkuar standardeve evropiane apo do të përdorim median si formë presioni”, tha ndër të tjera Tabaku.