FLASH :

Jetë mes drogës dhe frikës: Kur shteti të braktis

Dikur zemra e industrisë së peshkimit në Hull, Hessle Road sot është shndërruar në një simbol të dekadencës urbane dhe dështimit shtetëror. Në këtë rrugë një milje të gjatë, që dikur gumëzhinte nga tregtarët e ndershëm dhe komuniteti solidar, sot mbizotëron frika, kriminaliteti dhe humbja e çdo besimi te autoritetet.

Zona e St Andrews dhe Docklands, ku ndodhet rruga, shënoi një shifër alarmante prej 1,662 krimesh për 1,000 banorë në vitin e kaluar – një nga normat më të larta jashtë Londrës, Birminghamit dhe Liverpool-it. Më shumë se 2,400 krime u regjistruan në një komunitet me vetëm 1,533 banorë, ku dhuna, abuzimet seksuale dhe vjedhjet janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Rrëfimet e banorëve janë tronditëse:

  • Nini Thompson, 50 vjeçe, tregon se tashmë nuk i beson më policisë dhe se zgjidh problemet vetë, pasi e dashuri i saj u grabit nga një përdorues droge në mes të ditës.
  • Jake Casprzak, i cili hapi një dyqan për pajisje vape, është detyruar të fshehë produktet pas xhamave të blinduar për t’u mbrojtur nga hajdutët 13-vjeçarë.
  • Pronari australian Jason Crumblin, që u zhvendos në Hull për të hapur një dyqan dhuratash, po kthehet në Melbourne pas një përvoje të mbushur me vjedhje, drogë dhe frikë.

Bizneset e ndershme po mbyllen, ndërsa lulëzon pastrimi i parave
Nën dritat e zbehta të rrugës, pas dritareve të zbrazëta të salloneve të bukurisë, dyqaneve të elektronikës dhe lavanderive, banorët shohin një tjetër fytyrë të krimit: paratë e pista që lahen “në dritën e diellit”. Makina luksoze me targa të personalizuara qëndrojnë para dyqaneve pa klientë, ndërsa pronarët e ndershëm mezi paguajnë qiranë.

Frika mbizotëron – dhe jo vetëm nga krimi.
Askush nuk guxon të flasë publikisht. Frika nga hakmarrja, nga sulmet, nga “bomba në dritare” është kthyer në normë. Dëshpërimi përballë mungesës së drejtësisë i ka bërë banorët të ndihen të braktisur.

Çfarë thonë autoritetet?
Ndërsa policia dhe bashkia përpiqen të japin mesazhe qetësuese për patrulla, plane bashkëpunimi dhe platforma informimi si “My Community Alert”, realiteti në terren tregon një rrugë ku shteti ka humbur kontrollin, dhe ku qytetarët janë lënë të përballen të vetëm me rrënimin social dhe kriminalitetin e përditshëm.