A do të mund të jetojnë njerëzit për shekuj të tërë, të shëndetshëm dhe të rinj, pa u prekur nga sëmundjet apo pleqëria? Sipas një grupi shkencëtarësh dhe vizionarësh të teknologjisë, përgjigjja është po – dhe kjo mund të ndodhë brenda dekadave të ardhshme.
Tre figura kryesore në fushën e jetëgjatësisë po parashikojnë një të ardhme ku vdekja biologjike do të bëhet e parandalueshme: Dr. Ian Pearson, futurist britanik, beson se deri në vitin 2050, njerëzit më të pasur do të mund të jetojnë përjetë përmes teknologjive si inteligjenca artificiale, trupat android dhe ngarkimi i mendjes në kompjuter. Ai parashikon që për pjesën tjetër të njerëzimit, këto mundësi do të jenë të aksesueshme nga vitet 2060.
Ndërkohë, ish-inxhinieri i Google dhe futuristi i njohur Ray Kurzweil thotë se deri në vitin 2029, inteligjenca artificiale do të arrijë nivelin e njeriut, duke hapur rrugën për bashkimin mes trurit dhe kompjuterit – një proces që do të çojë në pavdekësi deri në vitin 2045, sipas tij.
Por ndoshta vizioni më radikal vjen nga shkencëtari Aubrey de Grey, i cili e trajton plakjen si një sëmundje të shërueshme. Ai thotë se përmes terapive që riparojnë dëmet qelizore, njerëzit mund të jetojnë 1,000 vjet, dhe se njeriu i parë që do ta arrijë këtë moshë ka lindur tashmë. De Grey punon me trajtime të reja si senolitikët – ilaçe që heqin qelizat e vdekura – dhe beson se njerëzimi ndodhet në prag të “shpejtësisë së arratisjes nga plakja”.
Çdo njëri nga këta skenarë përfaqëson një rrugë të ndryshme drejt pavdekësisë – përmes teknologjisë, inteligjencës artificiale, apo mjekësisë së avancuar – dhe secili prej tyre vë në pikëpyetje vetë përkufizimin e njeriut. Nëse këto vizione bëhen realitet, brezat e sotëm mund të jenë të fundit që e përjetojnë vdekjen si një fakt i pashmangshëm.