Banorët e megapolisit më të madh të Kinës – Chongqing, një qytet me mbi 32 milionë banorë që prodhon gjysmën e laptopëve të botës – kanë treguar si është realisht të jetosh në këtë metropol distopik. Qyteti gjigant, i ndërtuar mbi nivele të shumta me autostrada dhe metro që kalojnë përmes pallateve, është shndërruar në një qendër teknologjike që prej vitit 2009, kur HP vendosi atje bazën e saj të prodhimit, e ndjekur më pas nga gjigandë të tjerë si Foxconn, Lenovo, Asus dhe Quanta.
Megjithatë, pas fasadës futuriste, fshihet një realitet i zymtë për punëtorët e fabrikave, të cilët dokumentojnë në rrjete sociale rutinën e tyre rraskapitëse. Në video të shpërndara në TikTok, ata tregojnë jetën në dhoma të ngushta me krevate marinari, vakte të zbehta në mensa të mbushura me mijëra punëtorë dhe ndalesa të detyruara për të lënë telefonat përpara hyrjes në turnin e punës – për shkak të ndalimit të filmimeve brenda fabrikës.

Në një video tjetër, një punëtor dokumenton një turn 12-orësh nate në një fabrikë të pajisjeve elektronike. Gjatë pushimit, kolegët shihen të përkulur në karrige, të lodhur dhe të heshtur, ndërsa hanë në qetësi një vakt të thjeshtë. Videot ekspozojnë realitetin e ashpër të një jete të mbyllur mes turneve të zgjatura dhe pagave të ulëta. Protestat e vitit të kaluar në një fabrikë testesh Covid, të cilat u përplasën me policinë, treguan se pakënaqësia është e thellë.

Përtej kushteve të rënda të punës, qyteti i Chongqing është një nga zonat më të mbikëqyrura në botë. Kamera të pafundme dhe sisteme të njohjes së fytyrës monitorojnë lëvizjet e banorëve në çdo hap. Në vitin 2024, autoritetet vendosën mbi 27,000 kamera të reja dhe qindra sensorë si pjesë e planit “Rrjeta”, për të ndaluar çdo shfaqje mospajtimi publik. Robotë inspektues patrullojnë ambientet e fabrikave dhe kontrollojnë pajisjet, ndërsa taksitë pa shofer janë bërë një fenomen i zakonshëm në rrugët e qytetit.
Ndërkohë, ndotja është një tjetër plagë. Chongqing shpesh renditet si qyteti më i ndotur në botë, me një indeks cilësie ajri (AQI) prej 89 – ku smogu dhe retë e zeza mbulojnë qiellin për më shumë se 100 ditë në vit. Qyteti ka një strukturë arkitektonike labirintike, ku një ashensor të çon nga kati i 12-të në rrugë, ndërsa kati i 8-të mund të të nxjerrë në një parking. Kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të humbur në një realitet me shumë dimensione – ku mungon drita e diellit dhe jeta zhvillohet në shtresa betoni.

Në vitin 2021, gjatë një bllokimi për shkak të Covid-19, banorët u rebeluan kundër kushteve të mbylljes në apartamente të ngushta dhe të mbipopulluara, duke brohoritur nga dritaret: “Duam liri!”. Në Chongqing, teknologjia, industrializimi i egër dhe kontrolli shtetëror krijojnë një përzierje distopike që i rikujton botës koston njerëzore të pajisjeve që përdorim çdo ditë.