Këngëtarja britanike Jesy Nelson ka konfirmuar lindjen e binjakeve të saj në një postim emocional në Instagram, duke zbuluar se ato kanë ardhur në jetë parakohe dhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të domosdoshme për të shpëtuar jetën e tyre.

Ish-anëtarja e grupit Little Mix ishte shtruar në spital që në fund të marsit, pasi ishte diagnostikuar me sindromën TTTS (Twin-To-Twin Transfusion Syndrome) – një komplikacion i rrallë, por i rrezikshëm që ndodh kur binjakët ndajnë të njëjtën placentë.
Tre ditë pas lindjes, ajo njoftoi me gëzim në rrjetet sociale se të dyja vajzat janë të sigurta dhe po luftojnë fort. “Vajzat tona të bukura vendosën të vijnë në javën e 31-të e 5 ditë. Gjithçka ndodhi kaq shpejt, por jemi të bekuar që janë këtu me ne, të shëndetshme dhe të forta. Nuk kemi ndier kurrë më shumë dashuri!”, shkroi ajo.
Jesy dhe partneri i saj, Zion Foster, zbuluan gjithashtu emrat e veçantë të binjakeve: Ocean Jade Nelson-Foster dhe Story Monroe Nelson-Foster.
Në mars, Jesy iu nënshtrua një operacioni urgjent për shkak të përkeqësimit të simptomave të TTTS dhe qëndroi në spital deri në javën e 32-të të shtatzënisë. Zion, i cili qëndroi pranë saj gjatë gjithë kohës, tha për OK! Magazine se kjo periudhë sfiduese i ka afruar edhe më shumë si çift. “E kemi bërë dhomën e spitalit si shtëpi, me krevat të përbashkët dhe dashuri të pafund,” tha ai.

Nelson kishte ndarë më herët me ndjekësit e saj sfidat që po kalonte me shtatzëninë, duke treguar se po kryente ekzaminime dy herë në javë për të monitoruar binjaket. Ajo shpjegoi se binjaket janë mono/di, që do të thotë se ndajnë të njëjtën placentë – gjë që rrit rrezikun e komplikacioneve serioze.
“Njëra mund të marrë të gjithë lëndët ushqyese dhe kjo, sado e dhimbshme të tingëllojë, mund të çojë në humbjen e të dyjave,” tha ajo me lot në sy, ndërsa kërkonte lutjet e ndjekësve.