FLASH :

Jessie J në spital me infeksion dhe lëng në mushkëri, 6 javë pas operacionit për kancer në gji

Këngëtarja e njohur britanike Jessie J është shtruar sërish në spital, vetëm gjashtë javë pas operacionit për heqjen e një tumori në gji. Në një postim emocional në Instagram, 37-vjeçarja zbuloi se mjekët po hetojnë një infeksion dhe prani lëngu në mushkëri, pas shqetësimeve që sugjeronin një mpiksje gjaku — gjë që, fatmirësisht, nuk u konfirmua.

Nga krevati i spitalit, Jessie pranoi se po kalon një nga periudhat më sfiduese mendërisht, veçanërisht si nënë e një fëmije të vogël dhe pas anulimit të planeve për karrierën artistike. Ajo theksoi se rikuperimi fizik dhe emocional pas operacionit ka qenë i ngadaltë dhe i vështirë, duke shtuar me ironi se trupi i saj i kishte thënë: “Ulu, k*** e vogël!”

Jessie tha se është larguar vetë nga spitali dhe do të ndjekë trajtimin si paciente ambulatore. Në përfundim, ajo i kujtoi vetes dhe ndjekësve se shërimi kërkon kohë dhe durim, edhe për një “T-Rex me ADHD dhe shpirt zjarri” siç e përshkruan veten.

Këngëtarja kishte rrëfyer më herët se zbulimi i hershëm i kancerit ishte një bekim, por operacioni dhe rikuperimi kanë qenë më të vështirat që ka përjetuar ndonjëherë. Ajo po vazhdon rrugën e saj drejt shëndetësimit, e mbështetur nga një rreth shumë i vogël miqsh.